• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mickoski: Pres që BDI-ja të shkojë në opozitë, nuk kemi asnjë besim elementar për bashkëpunim me ta

Mickoski: Pres që BDI-ja të shkojë në opozitë, nuk kemi asnjë besim elementar për bashkëpunim me ta

Shkup, 30 prill 2024 (MIA) - Më vjen keq që udhëheqësia e BDI-së ende jeton në kohërat të cilat janë veçmë të kaluara. Maqedonia është e të gjithë qytetarëve, as nuk është federatë, as shtet binacional, tre apo katër kombesh, sipas Kushtetutës është e të gjithë qytetarëve, ndërsa sipas demokracisë ai që ka 61 deputetë e formon Qeverinë. Nuk e di si e kanë llogaritur se janë përfaqësues të popullatës shumicë jomaqedonase. Mendoj se të gjithë jemi qytetarë të Maqedonisë, maqedonas dhe vlerësoj se politika nuk duhet të shihet si "tryezë suedeze" dhe BDI-ja të marrë pak nga LSDM-ja, pak nga VMRO-DPMNE-ja, pak nga partitë e tjera politike. BDI-ja ka qenë 6.5 vite me LSDM-në në Qeveri të mposhtur në rrethin e parë të zgjedhjeve preidenciale, presim të jenë të mposhtur edhe pas zgjedhjeve parlamentare dhe presim që BDI-ja për disa javë të jetë opozitë, tha sot kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Ai përmendi edhe një herë se më 8 maj pret fitore bindëse për Gordana Siljanovska Davkovën dhe koalicionin "Maqedonia jote" dhe se me koalicionin "VLEN" për ndryshimet kushtetuese do të diskutohet pas zgjedhjeve. Nëse ndryshimet kushtetuese janë kusht për bashkëpunim, përsëriti se ai dhe partia e tij nuk funksionojnë në bazë të shantazheve dhe kërcënimeve. Për momentin, theksoi Mickoski, VMRO-DPMNE është e fokusuar në zgjedhje, ndërsa pas përfundimit të tyre do të ulen në tavolinë me partitë opozitare.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas takimit me përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, Mickoski ka komentuar edhe qëndrimin e Ali Ahmetit i cili thirret në Marrëveshjen e majit.

"Demokracia është themeli i parimit - kush  e ka shumicën në Parlament e formon Qeverinë. Nuk e di se për cilën Marrëveshje të majit flet BDI, nuk e di për cilin rregull 'fituesi me fituesin'. Kishte një rregull në të kaluarën 'fituesi me fituesin' që është rezultat i një marrëveshjeje të kaluar, atë marrëveshje dhe atë rregull e thyen vetë në vitin 2017 dhe përsëri do të rikujtojë që politikën nuk duhet ta shohim  si një 'tryezë suedeze', ta lëmë anësh atë se VMRO-DPMNE fitoi shumicën, siç dhe pritej, por nuk ka asnjë besim elementar për të bashkëpunuar me BDI-në. Kështu që ata duhet të shkojnë në opozitë", nënvizoi Mickoski. rq/

Foto/video: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR