• e mërkurë, 26 qershor 2024

Mickoski: Parku i erës i "Alkaraz Energji" investimi më i madh në pjesën e burimeve të rinovueshme në rajon

Mickoski: Parku i erës i

Shkup, 25 qershor 2024 (MIA) - Parku i erës me 55 mullinj të erës të cilët do të prodhojnë një teravat orë energji elektrike do të ndërtohet mes Karbincit, Shtipit dhe Radovishit. Ndërtimi pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025, ndërsa me këtë investim të huaj të "Alkaraz Energji", në vlerë prej mbi 500 milionë dollarë, pritet të hapen 630 vende të reja pune. 

Parku i erës, siç ishte bërë e ditur në promovimin e sotëm të investimit, do të prodhojë energji elektrike me të cilën do të përmbushen nevojat e rreth 100 mijë amvisërive. 

Sipas kryeministrit Hristian Mickoski, bëhet fjalë për investimin më të madh në pjesën e burimeve të rinovueshme në rajon.

"Ky lloj fillimi i mandatit me këtë lloj investimi tregon se si Qeveri jemi të fokusuar në projekte që janë në interes të qytetarëve. Me përfundimin e këtij projekti, edhe 100 mijë familje maqedonase do të mund të furnizohen me energji elektrike nga këto mullinj me erë. Ky projekt është domethënës nga shumë aspekte - do të forcojë ndjeshëm pavarësinë energjetike, që është synimi ynë, do të rrisë vëllimin e investimeve dhe do të hapë rrugën për investime të reja. Ky lloj investimi tregon se besimi në këtë Qeveri është i madh që në fillim dhe se si opozitë kemi punuar dhe tani si Qeveri do të vazhdojmë të punojmë me ritëm të shtuar" tha Mickoski.

Shtoi se qëllimi i Qeverisë është që vendi të bëhet energjertikisht i pavarur në pjesën e energjisë elektrike dhe sipas tij, kjo mund të realizohet me plan të hollësishëm. 

"Planin e kemi, njerëzit i kemi, mbetet vetëm që ta përfundojmë detyrën e shtëpisë që vet e vendosëm. Thonë se çdo njeri ëndërron për gjëra të mëdha, ndërsa se pak kush i krijon ëndërrat e veta në projekte të vërteta. Unë jam nga ata njerëz të cilët duan të shohin vepra konkrete, ndërsa nuk bazohet vetëm në fjalën e dhënë. Ashtu funksionoj, ndërsa ashtu do të funksionojë edhe kjo Qeveri", tha Mickoski.

Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska paralajmëroi program për grante dhe kredi të favorshme për 150 mijë amvisëri në një mandat për pronarët e shtëpive private dhe banesave. 

"Mbështetja do t'i referohet vendosjes së fasadave, dritareve dhe dyerve të reja me efikasitet energjetik, si dhe subvencione për qytetarët deri në 50 për qind të çmimit për blerjen dhe instalimin e pajisjeve me efikasitet energjetik. Familjet do të kenë mundësinë të shesin tepricën e energjisë elektrike të prodhuar në kushte më të mira duke ndryshuar rregulloren ekzistuese. Parashikojmë ndryshime në mënyrën e llogaritjes për pagesën e tepricës së prodhuar të energjisë së shitur", theksoi Bozhinovska.

"Alkaraz energji" është fond i pavarur i qëndrueshëm me seli në Luksemburg dhe ekip i këshilltarëve me seli në Dubai të cilët fokusohen në projekte të mëdha për energji të rinovueshme në tregjet në zhvillim. fc/

Fotografia: MIA

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR