• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski për vizitë dyditore në Serbi me rastin e panairit ndërkombëtar për verë, ushqim, raki dhe turizëm "Vizioni i verës së Ballkanit të Hapur"

Mickoski për vizitë dyditore në Serbi me rastin e panairit ndërkombëtar për verë, ushqim, raki dhe turizëm

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot dhe nesër do të qëndrojë në Republikën e Serbisë për vizitë dyditore me rastin e panairit ndërkombëtar për verë, ushqim, raki dhe turizëm "Vizioni i verës së Ballkanit të Hapur".

Mickoski sot pasdite do të ketë takime të ndara me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e më pas edhe me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë me rastin e panairit të tretë ndërkombëtar do të jenë Lupço Dimovski, zëvendëskryeministër për sistemin politik, Ivan Stoilkoviq, zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, Igor Janushev, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Lutkov, Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike dhe Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës

Kryeministri Mickoski do të ketë fjalim në hapjen e ngjarjes, pas së cilës do të vijojë shëtitje në panair.

Sonte Mickoski dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Serbisë, Nikolla Tupançevski, do të kenë fjalime në mbrëmjen maqedonase, e cila do të mbahet në hotelin Hajat.

Në panairin e tretë ndërkombëtar për verë, ushqim, raki dhe turizëm "Vizioni i verës së Ballkanit të Hapur", që mbahet në Beograd nga 22-24 nëntor do të prezantohen 650 ekspozues nga 38 vende, 

Përveç kësaj, vizitorët do të mund të shijojnë edhe Teatrin Gastro - një prezantim i restoranteve dhe hoteleve më të mira nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ku do të përgatitet një menu me tre pjata në kombinim me verërat e përzgjedhura nga somelierët më të mirë nga Serbia. .

Këtë vit, në panairin në Beograd nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë 80 kantina të verës dhe distileri, 6 ekspozues ushqimesh dhe një restorant me 3 kuzhinierë.

Një nga segmentet më tërheqëse të panairit do të jetë ndarja e “Trofeut të verës të Ballkanit të Hapur”, që do të zhvillohet më 23 nëntor. Më pas do të shpallen verërat më të mira të festivalit dhe juria e përbërë nga 26 ekspertë ndërkombëtarë të verës, përfshirë gjashtë mbajtës të titullit "Mjeshtër i verës", do të vlerësojë pothuajse 1000 mostra të verës.

Do të vlerësohen verërat nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit, ndërsa mostrat më të mira do të shpërblehen me medalje ari, argjendi dhe bronzi. 

Mysafirë të Beogradit do të jenë edhe liderët e industrisë së kuzhinës dhe ushqimit: kuzhinieri dhe ambasadori britanik i kuzhinës britanike Alan Kokson, kryekuzhinieri dhe somelier Dragan Uniq, nënkryetari i dytë i Asociacionit botëror të mjeshtërve të kuzhinierëve, Daniel Ajton, kuzhinieri i famshëm italian Xhanluka Tomasi, si dhe drejtori i Olimpiadës së Kulinarisë, Daniel Shade.

Vendin qendror të panairit të Beogradit do ta zë stenda e përbashkët e tre organizatave kombëtare të turizmit të vendeve të Ballkanit të Hapur, ku bashkërisht do të prezantojnë ofertën turistike dhe trashëgiminë kulturore të të tre vendeve. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR