Mickoski për fillimin e “Qytetit të Sigurt": Pres që ndjeshëm të ulet numri i shkeljeve, qëllimi nuk është të gjobiten qytetarët, por të mos ketë humbje të jetëve të njerëzve
- Kryeministri Hristijan Mickoski pret që të ulet numri i shkeljeve në trafik me projektin "Qytet i Sigurt", implementimi i të cilit fillon sot me gjobitjen e shkeljeve në trafik. Thotë se është rritur pragu i tolerancës për gjobitje, por se si do të mësohen shoferët, ashtu do të kthehemi në kriteret evropiane.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:50, 1 shkurt, 2026
Shkup, 1 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që të ulet numri i shkeljeve në trafik me projektin "Qytet i Sigurt", implementimi i të cilit fillon sot me gjobitjen e shkeljeve në trafik. Thotë se është rritur pragu i tolerancës për gjobitje, por se si do të mësohen shoferët, ashtu do të kthehemi në kriteret evropiane.
"E kemi rritur pragun e tolerancës, deri në 50 do të jetë 6 kilometra në orë, mbi 50 nëntë kilometra në orë, mbi 90 - 12 kilometra në orë. Kjo tolerancë është rritur që të mos gjobiten, por si do të mësohen shoferët, kështu do të kthehemi te ato kritere evropiane. Tani jemi pak më shumë, jemi diku te 15 për qind. Çështja nuk është të gjobiten qytetarët, por të shmangen pasojat nga aksidentet rrugore dhe jetët e humbura njerëzore. Pres që numri i shkeljeve dhe gjobave të ulet në mënyrë dramatike", tha Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas shënimit të fillimit të ndërtimit të bulevardit "Maqedonia" në Shkup.
Lidhur me hulumtimin e fundit nga Instituti "Demokraci", kryeministri tha asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje integrimi i shtetit tonë në kuadër të BE-së, pavarësisht të gjitha sakrificave të bëra nga qytetarët dhe poshtërimit dhe pritjeve zhgënjyese nga individët në Bruksel.
"Qytetarët në Maqedoni janë pro-evropianë, madje më evropianë se disa vende të tjera anëtare të BE-së, dhe askush nuk duhet të ketë dilemë për këtë", tha Mickoski.
Thotë se ishte mirë që mbështetja për anëtarësimin në BE po rritet dhe se personalisht priste që kjo përqindje të ishte 90.
"Kjo do të thotë që ne po punojmë në krijimin e një perceptimi që të rritet përqindja tek qytetarët dhe do të vazhdojmë të punojmë kështu. Cili është problemi? Kur të gjithë ata që sot thonë nëse jeni për BE-në me kusht që ta ndryshojmë tani Kushtetutën, dhe që ende nuk kemi një fund të caktuar, atëherë përgjigjja është e kundërta, atëherë 71 për qind janë kundër. Qytetarët janë të lodhur nga tradhtia dhe pritjet e tyre, pavarësisht asaj që kanë bërë si asnjë qytetar tjetër i një shteti anëtar të BE-së. Këta qytetarë e kanë merituar prej kohësh vendin e tyre në BE dhe shpresoj që BE-ja, së bashku me ne, do të gjejë një mënyrë për të garantuar se nuk do të ketë veto dypalëshe në të ardhmen. Jam i bindur se jemi shumë më të përgatitur se shtetet aspirante në Bashkimin Evropian", theksoi Mickoski.
Nëse ne e ndryshojmë Kushtetutën në mënyrë që një grup i caktuar në shoqërinë tonë të jetë pjesë konstituive e shtetit, atëherë, thotë Mickoski, të paktën komuniteti ynë maqedonas në ato shtete duhet të ketë të drejta themelore të njeriut - të jetë në gjendje të bashkohet në organizata joqeveritare.
Kryeministri Mickoski tani për tani mbetet në qëndrimin për zgjedhje të rregullta parlamentare në vitin 2028.
"Nëse më pyetni sot, nuk kam një qëllim të tillë", tha Mickoski, duke komentuar intervistën e liderit të LSDM-së opozitare se Qeveria nuk do të zgjasë deri në vitin 2028.
Foto: MIA