• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski për dorëheqjen e Komisionit për falje: Kur konstatohet gabimi, nëse merret përgjegjësia, atëherë kjo është e virtytshme

Mickoski për dorëheqjen e Komisionit për falje: Kur konstatohet gabimi, nëse merret përgjegjësia, atëherë kjo është e virtytshme

Shkup, 27 tetor 2024 (MIA) – Njeriu i gjallë që punon, di edhe të gabojë. Kur të konstatohet gabimi, nëse merret përgjegjësia, atëherë kjo është e virtytshme, është komenti i kryeministrit Hristian Mickoski për dorëheqjen kolektive të cilën dje e dhanë anëtarët e Komisionit për falje pas reagimeve në publik për faljen e fundit me rastin e festës 23 Tetori. 

“Gabimi u konstatua qartë dhe e vetmja gjë që kishin si akt moral ishte që të tërhiqeshin dhe këtë e bënë, andaj pres që ajo temë të mbyllet publikisht”, deklaroi Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media në Qeveri pas nënshkrimit të këstit të parë prej 250 milionë eurosh për investime kapitale në komuna.

Komisioni për falje mbrëmë dha dorëheqje kolektive, e cila u pranua shumë shpejtë nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova.

Për dorëheqjen kolektive të Komisionit informoi profesori Gordan Kallajxhiev në Fejsbuk, duke bërë të ditur se dorëheqjen e japin nga parimet personale dhe profesionale. 

“Këtë vendim e morëm në përputhje me parimet tona personale dhe profesionale”, qëndron në publikimin në profilin në fejsbuk të nënshkruar nga prof.dr. Metodia Kanevçev, prof.dr. Gordan Kallajxhiev, prof.dr Arlinda Kadri Shahinoviq, dr.Zora Mitiq, mr. Ana Gjorgjieva dhe Ajten Shaqiri.

Nga Kabineti i Siljanovska  Davkova informuan se presidentja e pranoi dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit për falje dhe se në periudhën e ardhshme presidentja do të kryejë konsultime për përbërjen e re të komisionit, si dhe për lëshimet institucionale dhe ligjore të cilat ekzistojnë në sistemin e faljes së personave të dënuar.

“Anëtarët e Komisionit për falje sot e informuan presidenten Gordana Siljanovska Davkova se japin dorëheqje kolektive nga pozitat në komision. Vendimin për dorëheqjen kolektive nga Komisioni për falje anëtarët e japin në përputhje me parimet e tyre personale dhe profesionale. Presidentja Siljanovska Davkova e pranoi dorëheqjen e dhënë nga prof.dr. Metodia Kanevçev, prof.dr. Gordan Kallajxhiev, prof.dr. Arlinda Kadri Shahinoviq, dr.Zora Mitiq, mr. Ana Gjorgjieva dhe Ajten Shaqiri”, qëndron në kumtesën e Kabinetit të presidents.

Presidentja Siljanovska Davkova me rastin e festës 23 Tetori, me rekomandim të Komisionit për falje, fali dhjetë të dënuar. Vendimi ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 22 tetor, ndërsa disa emra të cilët u gjetën në listën e faljes shkaktuan reagim të ashpër në publik – ish kryetari i Manastirit, Vladimir Talevski, Marjan Efremov, i akuzuar i parë në aferën “Spuini”, Shenoll Masllani nga Haraçina, vëllai i Shenasi Masllanit, i njohur si Shenki Versaçe dhe Akif Ravmanovski i cili ka lidhje me grupin kriminal “Baron” nga Haraçina. Ravmanovski gjatë lëshimit nga burgu Idrizovë menjëherë ishte arrestuar nën dyshimin për tentim për vrasje. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR