• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski për bisedën me Gllavçevin: Të relaksohen marrëdhëniet, të shikohet në të ardhmen edhe të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim

Mickoski për bisedën me Gllavçevin: Të relaksohen marrëdhëniet, të shikohet në të ardhmen edhe të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim

Shkup, 11 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski në Fejsbuk publikoi se në margjinat e fotosesionit zyrtar të liderëve të qeverive dhe shefave të shteteve në samitin e NATO-s në Uashington ka zhvilluar bisedë të shkurtër me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Gllavçev. 

"U konstatua se duhet të relaksohen marrëdhëniet, ku theksova se duhet parë nga e ardhmja dhe të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim. Temat e së kaluarës dhe hapja e pengesave të reja nuk do t'i afrojnë të dy popujt dhe se duhet bërë përpjekje dhe hapa që do të ushqejnë besimin midis shteteve si në periudhën para vetos dhe fillimit të politikës së obstruksioneve", shkruan Mickoski. 

Edhe në kumtesën e Qeverisë, thuhet se në takim është konstatuar se duhet të relaksohen marrëdhëniet, ndërsa Mickoski theksoi se është e nevojshme të shikohet në të ardhmen dhe të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim. Temat nga e kaluara edhe hapja e pengesave të reja nuk do t'i bashkojnë dy kombet.

Për bisedën me Mickoskin është pajtuar edhe kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev i cili tha se bëhet fjalë për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe për kthimin e tyre në nivelin e vitit 2017 kur u nënshkrua Marrëveshja e fqinjësisë së mirë.

"Të dytë ishim të atij mendimi, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk ka asgjë më të mirë se marrëdhëniet e mira mes fqinjëve. Madje mund të thuhet se ne jemi më shumë se fqinjë me Republikën e Maqedonisë së Veriut", deklaroi Gllavçev. 

Kryeministri bullgar thekson se duhet të ulen tensionet në marrëdhëniet e ndërsjella, para së gjithash në deklarata, sepse mes qytetarëve dhe popujve të të dyja vendeve fqinje nuk ka tensione, ndërsa politikanët nëse nuk ndihmojnë të zhvillohen këto marrëdhënie, nuk duhet t'i pengojnë. 

Sipas tij, kur bashkëpunimi do të jetë në nivel të kënaqshëm, lidhja duhet të fillojë të zhvillohet në të gjitha aspektet, si në transport, në ekonomi...

"Por, duhet të përmbushen edhe detyrimet që janë marrë. Këtu nuk po flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E shikoni se nuk i ndajë. Pozita jonë është edhe pozita evropiane se të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet t'i përmbushin kërkesat  që i janë caktuar", shtoi Gllavçev. qa/

Foto: FB Hristijan Mickoski

 

QËNDRONI TË LIDHUR