• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mickoski: Për 100 ditë realizuam, miratuam ose filluam mbi 100 projekte, masa dhe vendime

Mickoski: Për 100 ditë realizuam, miratuam ose filluam mbi 100 projekte, masa dhe vendime

Shkup, 1 tetor 2024 (MIA) – Një qind ditët e para të zgjedhjes së Qeverisë së re nuk ishin të lehta, por ishin periudhë kyçe në të cilën shumë gjëra na u bënë të qarta – ku jemi dhe ku duhet të shkojmë dhe çka duhet që të arrijmë aty. Por, më e rëndësishme treguam se jemi të vendosur dhe të përkushtuar që të përballemi me sfidat pa dallim të obstruksioneve të cilat i hasim dhe problemet dhe kurthet që janë vendosur para nesh, porositi sot kryeministri Hristian Mickoski.

Siç theksoi në konferencën e sotme për media në Qeveri për shënimin e 100 ditëve të para nga puna e Qeverisë së re, situata e trashëguar ishte shumë më e keqe se sa që priste dikush, ndërsa situatat janë larg ideales. Për 100 ditë, theksoi, realizuam, miratuam ose filluam mbi 100 projekte, masa dhe vendime të rëndësishme për qytetarët. 

“Sa më shumë e dimë se situata është më e rëndë nga sa presim, aq më e fortë bëhet vendosmëria jonë. Ne trashëguam buxhet vjetor të shpenzuar në vetëm gjashtë muaj. Vend nga i cili po largohen të rinjtë, 600 mijë të cilët jetojnë me vetëm 150 denarë në ditë dhe shumë probleme të tjera urgjente. Por kjo vetëm sa forcoi angazhimet dhe motivimin tonë për t'i korrigjuar ato dhe për të ecur në rrugën e duhur. Qëllimi i sotëm është i qartë - përkushtimi 100 për qind për realizimin e projekteve dhe realizimin e premtimeve”, tha Mickoski.

Këto 100 ditë, siç tha, nuk ishin të lehta, por ishim vetëm fillim. 

“Detyra dhe fokusi ynë parësor ishte stabilizimi i flukseve financiare, mbyllja e vrimave buxhetore dhe përballja me deficitet dhe kaosin e lënë nga qeveria e mëparshme. Po punohet për kthimin e borxheve, mbylljen e borxheve të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike dhe zbatimin e masave specifike në politikën tatimore dhe sociale. Jemi duke përgatitur dhe plotësuar institucionet, jemi duke negociuar për investime të rëndësishme për ekonominë tonë dhe që do të krijojnë shumë vende të reja pune, kemi punuar dhe jemi duke përgatitur qindra projekte të reja”, theksoi Mickoski.

Kujdesemi, shtoi, për të gjithë, për më të rinjtë, për arsimin e tyre dhe për të moshuarit me gjysmën e parë nga rritja e pensioneve dhe projekteve të tjera të reja që i planifikojmë. 

“Nuk harrojmë as bujqit, as punëtorët, as mësuesit e profesorët, as mjekët. Ne kemi ofruar tekste falas për të gjithë në kohë për herë të parë pas shumë kohësh. Nuk ka radhë për pasaporta dhe dokumente personale, kemi rritur pensionet, kemi shlyer borxhet dhe pagat. Çdo ditë mundohemi të tregojmë se veprojmë, jemi prezent me aktivitete, por edhe të marrim ndonjë masë të re dhe mundohemi të përmirësohemi, të tregojmë se mund të bëhet ndryshe dhe mund të bëhet më mirë”, tha Mickoski dhe theksoi se me mbështetjen e komunave po përpiqen të zhvillojnë vendin dhe të ofrojnë projekte që do të përmirësojnë diçka.

Përkujtoi se vetëm për 100 ditë qeveria e re përmes rritjes lineare të pensioneve mundësoi pensione më të larta për mbi 330 mijë pensionistë, investime të reja të huaja, shërbime më të lira të kadastrës, ilaçe më të lira përmes zgjerimit të listës pozitive, çmim më të lartë të blerjes për rrushin e verës, marzh të kufizuar për mbi 70 produkte ushqimore.  

“Vijojnë më shumë projekte, masa dhe reforma për të cilat do të punojmë me gjithë energjinë tonë, me gjithë zemrën tonë. Vijojnë investime të reja, ulje të çmimeve, vendime për investime, por edhe masa për të rinjtë, dhe mund të them se tatimet do të ulen. Në katër javët e ardhshme prisni vendim për ulje të tatimeve me çka do të bëhemi shtet me tatime më të ulëta në Evropë”, premtoi Mickoski. fc/

Fotografia: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR