• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Mickoski: Nesër do të kemi seancë konstitutive të Shtabit Zgjedhor Republikan

Mickoski: Nesër do të kemi seancë konstitutive të Shtabit Zgjedhor Republikan

Shkup, 11 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski deklaroi se për momentin ka konkurs për zgjedhje të kandidatit për president të shtetit në të cilin mund të aplikojë secili që është i interesuar deri më 21 shkurt dhe të jetë pjesë e konventës nëse i përmbush kushtet. Ai paralajmëroi se nesër do të kenë seancë konstitutive të Shtabit Zgjedhor Republikan, me çka edhe zyrtarisht do ta fillojnë fushatën. 

"Konventa për zgjedhjen e kandidatit për president është më 2 mars. Për momentin konkursi është aktiv. Të gjithë ata të cilët do t'i përmbushin kushtet në bazë të konkursit, deri më 21 shkurt mund të aplikojnë. Vijojnë përgatitjet", deklaroi sot Mickoski pas mbyikëqyrjes së aktiviteteve ndërtimore në ndërtimin e bregut të lumit Seravë në Shkup. 

Ai për nesër paralajmëroi edhe fillim zyrtar të fushatës. Theksoi se pret shumë kandidatë edhe nga partitë e tjera politike, përfshirë edhe nga partitë politike shqiptare. 

"Si parti politike ne masim emrat pavarësisht nga konkursi. Mund të them që nuk janë më shumë se tre për momentin, por konkursi është i hapur dhe ai është proces i pavarur nga analizat që bën partia. Secili që i plotëson kushtet do të jetë pjesë e konventës për zgjedhjen e presidentit, përkatësisht kandidatit presidencial që do ta mbështesë VMRO-DPMNE-ja, e me këtë edhe presidentit të Maqedonisë", shtoi Mickoski.

Në pyetjen e gazetarëve se a zhvillohen bisedime për koalicion parazgjedhor, ai tha se vijojnë bisedimet me shumë parti politike, por së pari duhet t'i përfundojnë bisedimet me partitë politike të cilat deri më tani ishin në koalicion me VMRO-DPMNE-në. 

I pyetur për koment lidhur me ngjarjet në Aleancën për Shqiptarët, Mickoski u përgjigj se nuk dëshiron të përzihet në ngjarjet brendapartiake të partive të tjera politike. 

"Ne nuk përzihemi. Rimë ulur anash, sepse kjo që po bën LSDM dhe BDI është e pavend. Ata janë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet në Aleancën për Shqiptarët. Unë jam vërtet i tronditur nga sjellja e tillë, por kjo është puna e tyre. Ashtu siç nuk dëshirojmë që askush të përzihet në punët e brendshme të VMRO-DPMNE-së, ashtu edhe ne nuk duam të përzihemi në punët e brendshme të partive politike", tha Mickoski. fc/

Fotografia: VMRO-DPMNE

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR