• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski në Ditën e Pavarësisë publikoi dhjetë parime për zhvillim, stabilitet dhe prosperitet dhe bëri thirrje për unitet dhe kohezion

Mickoski në Ditën e Pavarësisë publikoi dhjetë parime për zhvillim, stabilitet dhe prosperitet dhe bëri thirrje për unitet dhe kohezion

Shkup, 8 shtator 2024 (MIA) - Qytetarët meritojnë të jetojnë në një vend ku ndershmëria dhe drejtësia janë parimet udhëheqëse. Është koha për t'i dhënë fund paligjshmërisë dhe për të ndërtuar një shtet që do të mbrojë interesat e qytetarëve. Krimi nuk guxon të jetë më i fortë se qeveria dhe kësaj të keqeje po i vjen fundi, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin në akademinë solemne me rastin e festës së Pavarësisë - 8 Shtatorit me sloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do ia dalim!".

Pjesë e dhjetë parimeve të cilat kryeministri i publikoi sot ishin vendosja e drejtësisë dhe shtetit juridik, fundi i partizimit të shoqërisë, përmirësimi i standardit të qytetarëve dhe përmbushja e qëllimit strategjik për hyrje në Bashkimin Evropian. 

Në Akademinë solemne në organizim të Qeverisë, kryeministri theksoi se duhet të vendosim drejtësi dhe shtet juridik. 

“Dhe jo thjesht në mënyrë të besueshme dhe deklarative si më parë, por në thelb përmes shembujve personalë dhe dorëheqjeve kolektive nga të gjithë ata njerëz të turpshëm që vendosën të turpërojnë veten dhe familjet e tyre dhe të shkojnë në anën tjetër të ligjit. Paligjshmëria nuk duhet të jetë sjellja që duhet ndjekur. Pavarësisht se kush është dhe çfarë është në këtë vend, ose do të jetë një qytetar i ndershëm ose do të jetë përgjegjës për veprimet e tij. Pavarësisht nëse është pushtet apo opozitë”, theksoi kryeministri.

Ai theksoi se duhet të ndërpritet partizimi i shoqërisë dhe t’i izolojmë elementet të cilat krijojnë pabarazi ndëretnike.

“Ne duhet të vendosim moratorium për temat e prodhuara etnikisht që qëndrojnë prapa interesave fitimprurëse të individëve. Duhet t'i jepet fund listës, listës së gjatë të dëshirave për të drejtat etnike, pas së cilës realisht nuk qëndron asgjë, por interesi personal i atyre që i prodhojnë, në kurriz të kolektivit. Sa i munguar tingëllon kur dikush kërkon dy shtëpi, ndërsa nuk ka ujë të pijshëm në Likovë dheTetovë. Unë dua zgjidhje për problemet personale të popullit dhe jo zgjidhje për interesat personale të grupeve të vogla të politikanëve që abuzojnë me vuajtjet kolektive të popullit”, tha ai.

Përmirësimin e standardit të qytetarëve, shoqërinë e drejtë dhe investimet në arsim i theksoi si parimet e nevojshme.

Gjithashtu, theksoi se duhet të ketë pajtueshmëri të përgjithshme për përmbushjen e qëllimit tonë strategjik, ndërsa ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian

“Nuk kemi alternativë tjetër, as nuk ka një shans tjetër real. Dëshira e popullit për anëtarësim në Union është dëshira për një standard më të mirë, kritere më të larta dhe më shumë para dhe një sistem të mesëm. Dhe ne si Qeveri dhe shoqëri nuk duhet të devijojmë nga rruga evropiane”, theksoi Mickoski.

Si parime i veçoi edhe unitetin, luftën kundër migrimit dhe betejat ideologjike.

“Për të gjitha këto parime kërkoj unitet dhe solidaritet. U dërgoj një porosi liderëve të opozitës rreth këtyre 10 parimeve që të bashkohemi të gjithë, të pastroheni nga krimi në radhët tuaja dhe të reformoheni. Dhe pranoni këtë që unë ofroj si një platformë rreth së cilës ne bashkohemi”, theksoi kryeministri.

Në fjalimin e tij në Filarmoninë e Maqedonisë, Mickoski potencoi se vizioni i tyre për të ardhmen përfshin edhe angazhim të fuqishëm për rritje ekonomike dhe zhvillim i cili do të sigurojë standard më të mirë jetësor për të gjithë qytetarët.

“Ka potencial për t'u bërë lider ekonomik në rajon, me infrastrukturë moderne, ekonomi konkurruese dhe inovacione që do të mbështesin të rinjtë dhe sipërmarrësit. Ne do të vazhdojmë me reformat që do të përmirësojnë klimën e biznesit dhe do të mundësojnë investime dhe vende të reja pune. Me përpjekje të përbashkëta do të krijojmë kushte ku të rinjtë do të shohin një të ardhme, ku do të mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe ku do të duan të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në shoqëri”, tha ai.

Në ceremoninë, përveç kryeministrit Mickoski, mori pjesë edhe presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi si dhe shumë përfaqësues të pushtetit ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe bashkësitë fetare. 

Akademia solemne filloi me interpretimin e himnit kombëtar të Maqedonisë nga kori i fëmijëve. Pas çka u shfaq videoklipi "Vezilka" (Qendisje), i cili përfshin interpretimin origjinal të poezisë së Blazhe Koneskit, si dhe me interpretimin e veprave të autorëve maqedonas të ndërlidhur me këtë temë nga orkestra shtetërore e xhazit.

Siç bënë të ditur më pare nga shërbimi për informim i Qeverisë, ngjarja është pjesë e nismës më të gjerë të qeverisë për sensibilizimin e rëndësisë së pavarësisë dhe luftës së përbashkët të qytetarëve për një të ardhme më të mirë. fc/

Fotografia: Qeveria e RMV-së


QËNDRONI TË LIDHUR