• e martë, 24 dhjetor 2024

Mickoski: Me propozimin që e ofrojmë për ndryshimet kushtetuese, ne jemi të sigurt se do ta çojmë garën deri në fund

Mickoski: Me propozimin që e ofrojmë për ndryshimet kushtetuese, ne jemi të sigurt se do ta çojmë garën deri në fund

Shkup, 19 nëntor 2024 (MIA) – Me propozimin që e ofrojmë për ndryshimet kushtetuese, jemi të sigurt se do ta çojmë garën deri në fund. Jam i sigurt se ai është maksimumi që për momentin mund ta bëjmë, thotë kryeministri Hristian Mickoski në intervistë për televizionin shtetëror kosovar. 

Në intervistën e dhënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Mickoski thotë se tani është optimist më i madh se sa që ishte para një viti dhe se ky është rezultat i ofensivës diplomatike të realizuar gjatë disa muajve të kaluar. 

“Dalëngadalë po fillon të shfaqet drita, por kjo sepse kemi pasur ofensivë të ashpër diplomatike dhe qëndrimet tona dihen nga të gjithë dhe kemi pasur sukses. Tani qëndrimi ynë është të flasim për të gjetur zgjidhje dhe tani fillojmë të kërkojmë zgjidhje. Kemi bërë shumë në këtë garë për të arritur në vijën e fillimit dhe tani, për ta thënë si në atletikë, duhet të bëjmë garë me 110 metra me pengesa. Dhe e shohim pengesën e parë. Me këtë ndryshim kushtetues ne mund të kapërcejmë vetëm pengesën e parë, por askush nuk na garanton se do të arrijmë në fund të vijës. Ne jemi të gatshëm që në Parlament të fillojmë ndryshimin e Kushtetutës dhe amendamentet 37 dhe 38 do të bëhen pjesë e Kushtetutës. Por me ligjin kushtetues do t'i shtojmë këto dy amendamente që të hyjnë në fuqi kur Parlamenti bullgar të ratifikojë Marrëveshjen e anëtarësimit në BE. Vetëm në këtë mënyrë ne jemi të sigurt se do ta çojmë garën deri në fund”, thekson Mickoski.

Sipas Mickoskit, për një numër të madh të vendeve anëtare, gati të gjitha, propozimin të cilin e ofron Qeveria është i arsyeshëm dhe është bazë për arritjen e marrëveshjes. 

“Për këtë parlamentet nuk duhet të ratifikojnë asgjë, për këtë vetëm duhet të ofrohet dora dhe të fillohet procesi. Mjafton aq. Shpesh herë i referohen rregullit të një vote në kuadër të BE-së. Po ju përkujtoj se gjatë samitit të dhjetorit të vitit të kaluar kur gjithashtu kishte një çështje rreth së cilës nuk kishte konsensus, rregulli i një vote u shndërrua në rregull – mungon një njeri. Kështu që unë e kuptoj se ka standarde të dyfishta në politikën botërore dhe se njeriu duhet të luftojë, por ajo luftë të paktën të jetë e drejtë”, thotë Mickoski. 

Thotë se opsion më të mirë nga Bashkimi Evropian nuk ka dhe se atë që si shtet e presim është që ta mbajnë fjalën e dhënë. 

“Ajo që presim është që vetëm ta mbajnë fjalën, ndërsa fjala e dhënë ishte kur ndryshohej emri kushtetues se do të jemi anëtarë të NATO-s, të fillojmë menjëherë negociatat sepse jemi përpara të gjithëve në rajon dhe brenda katër-pesë vjet do t'i përfundojmë negociatat. A e dini kur përfunduan ato katër, pesë vjet? Vitin e kaluar. Edhe sa herë duhet të poshtërojmë veten, të heqim dorë nga vetja për të marrë diçka si garanci se do ta përfundojmë këtë garë”, thekson Mickoski.

Pyet se pse ka nevojë që në Preambulën tonë të përfshihet një pjesë e bashkësisë bullgare e cila jeton në vendin tonë, ndërsa bëhet fjalë për disa qindra qytetarë, ndërsa kjo nuk kërkohet nga Kosova, Shqipëria ose nga Serbia ku jetojnë më shumë pjesëtarë të bashkësisë bullgare. 

“A ka logjikë në të gjithë këtë? A janë në pyetje të drejtat e njeriut? Në Evropë ekziston një gjykatë për të drejtat e njeriut që ka marrë vendime për bashkësinë maqedonase në Bullgari 14 herë që i janë shkelur të drejtat e njeriut dhe zero në Maqedoni. Që do të thotë se nuk bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Çfarë do të thonë maqedonasit në anën tjetër të kufirit. Ata nuk lejohen të regjistrojnë një organizatë joqeveritare dhe nuk janë disa qindra. Nëse ata nuk mund të regjistrojnë një organizatë joqeveritare, ndërsa ne ndryshojmë Kushtetutën, për mua është pak e palogjikshme. Atëherë le të shohim se cila është arsyeja e vërtetë. Nëse nuk mund ta bindni Sofjen zyrtare që të zbatojë të paktën disa vendime nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut, le të zgjedhin ata cilat vendime, si i bindni që të na lënë ta përfundojmë garën deri në fund, si t'i bindni që të mos dyshojmë përsëri në pengesën e katërt apo të pestë?”, pyet Mickoski.

Thekson se askush nuk është kundër që të përparojë në Bashkimin Evropian në bazë të arritjeve, por se është tjetër kur ka Kornizë të Negociatave me kritere të Kopenhagës, ndërsa tjetër është kur ka Kornizë të Negociatave me marrëveshje dypalëshe. 

“Kur je viktimë e bilateralizimit, nëse je pak me përvojë, do t’i bësh vetes pyetjen, po sikur guri në këpucë të bëhet aq i rëndë, sa nuk mund të lëviz këmbën. Është logjike ta hapim këtë çështje, sepse nëse nuk e hapim do të jemi të papërgjegjshëm ndaj të ardhmes së vendit. Askush nuk është kundër përparimit në BE në bazë të arritjeve. Në fund të fundit, vetë raporti i skriningut thotë se 55 për qind e legjislacionit tonë është harmonizuar dhe ne nuk kemi asnjë problem këtu. Nuk e kemi problem të marrim veto sepse nuk ka sundim të ligjit, korrupsion.. ...por nëse marrim veto sepse në librat tona shkruan se Goce Dellçevi është maqedonas, nëse marrim veto për diçka në mesjetë, ndërsa askush nuk është gjallë të dëshmojë se çka ka ndodhur, atëherë kjo është e panatyrshme. Ne aq duam ta ndryshojmë këtë”, sqaron Mickoski.

Për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe për dispozitat e ligjit të cilat janë para Gjykatës Kushtetuese, Mickoski thotë se askush nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe dhe se ajo është temë e cila është krijuar artificialisht. Sipas Mickoskit, ngritja e kësaj çështje nga ana e BDI-së nuk është për shkak të shqetësimit, por është temë të cilën po bëjnë përpjekje ta imponojnë që ta mbrojnë veten. 

“Ata që blenë qendra tregtare në Shkup, ata që kanë miliona euro në parkun e tyre vozitës, ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me paratë që kanë vjedhur, tani janë të shqetësuar dhe nuk dinë si ta mbrojnë kapitalin e tyre. Ata shohin se drejtësia është e ngadaltë, por ajo po afrohet dhe thonë me vete se cila është mënyra më e mirë për t'u bërë dëshmorë - t'i kthehemi çështjeve kombëtare dhe kur të vijë policia te dera, do të thonë se po e bëjnë këtë sepse ata ishin të zëshëm për Ligjin për gjuhët”, thotë Mickoski.

Për Balancuesin thotë se shpesh herë kjo vegël në të kaluarën ishte keqpërdoruar gjatë punësimeve dhe se për momentin një grup i punës punon në zgjidhjen ligjore e cila në të njëjtën kohë do të garantojë përfaqësim të drejtë dhe avancim në karrierë në bazë të kompetencave dhe njohurive. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR