• e shtunë, 29 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mickoski: Jemi duke bërë një ligj që do të garantojë përfaqësim të drejtë, por edhe kushtetutshmëri

Mickoski: Jemi duke bërë një ligj që do të garantojë përfaqësim të drejtë, por edhe kushtetutshmëri

Shkup, 26 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski kumtoi se ligji që do të garantojë rregulla për përfaqësimin e bashkësive etnike është në fazën e analizës nga ekspertët e së drejtës kushtetuese dhe se para se të kalohet në procedurë parlamentare, do t'i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim në mënyrë që, siç tha ai, "askush të mos mund më pas të bëjë politikë nga kjo".

I pyetur nëse me deklaratën e tij se derisa sa është kryeministër nuk do të ketë punësime etnike e mohoi deklaratën e zëvendësit të tij Izet Mexhiti se do të punësohen 2000 deri në 3000 shqiptarë, Mickoski në intervistë për TV Alsat është përgjigjur se “mund ta interpretoni si të doni”.

"Në thelb nuk do të ketë punësime politike, nuk do të ketë punësime partiake, pavarësisht nëse ajo parti është etnike shqiptare, turke, rome, serbe, multietnike, maqedonase etj. Besoj se duhet ta kapërcejmë atë Rubikon kur kemi funksionuar sipas parimit "si deri më tani” dhe rekomandimeve partiake, duhet të shikojmë cilësinë sepse nëse duam të ecim përpara, dhe nëse duam të krijojmë një shoqëri në të cilën duam të jetojmë, atëherë duhet të shikojmë cilësinë, dhe jo rekomandimet e ndonjë partie... Unë njoh shumë shqiptarë, serbë, maqedonas, turq, romë dhe turq cilësorë", tha Mickoski. 

Ai theksoi se është në fazë të përpunimit ligji që do të garantojë rregullat për përfaqësimin e bashkësive etnike si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

"Sepse në disa komunitete edhe maqedonasit janë grup etnik më i vogël, si p.sh. në Tetovë, Gostivar etj. Ne jemi duke punuar për atë ligj dhe vlerësojmë se do të jetë gati shumë shpejt. Ideja dhe koncepti ishin gati që në dhjetor, por ne duam të përfshijmë në proces profesorë të së drejtës kushtetuese, të cilët do të japin interpretimin. Ekspertët e kushtetutës janë duke e analizuar, janë duke konsultuar dhe debatuar mes tyre dhe ne e vlerësojmë që kur koncepti si i tillë të jetë gati, para se të kalojë në procedurë parlamentare, do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias, në mënyrë që askush të mos ketë mundësi të bëjë politikë më pas nga kjo , tha Mickoski  si mysafir në ditarin qendror të televizionit ALSAT M,

Thelbi, tha ai, nuk është se sa shpejt do të miratohet ligji, por përkundrazi të jetë një zgjidhje "që do të na garantojë përfaqësim vërtet të drejtë, por edhe kushtetutshmëri".

Ai shtoi se që kur është bërë kryeministër nuk ka ngritur çështje etnike sepse dëshiron të fokusohet kryesisht në ekonomi, zhvillim dhe jetë më të mirë.

“Sepse nëse vazhdimisht merremi me tema politike dhe etnike që dalin nga opozita, do të ketë më pak hapësirë ​​për t'u marrë me gjërat reale dhe jetën reale, sepse të gjithë qytetarët duan të jetojnë mirë”, theksoi kryeministri.

Ai është përgjigjur se “nuk i beson verbërisht” askujt, kur është pyetur nëse i beson verbërisht zëvendësit të tij Izet Mexhiti, pasi Qeveria dje në mënyrë eksprese i hodhi poshtë provat e pretenduara të LSDM-së dhe BDI-së për aktivitetet e paligjshme të zëvendëskryeministrit të parë.

"Unë nuk i besoj askujt verbërisht, por ajo që paraqitën LSDM dhe BDI është vërtetë politikë klasike. Nuk ka lidhje me shkeljen e ligjit, as nuk ka asnjë esencë. Duhet të ishte denoncuar në Prokurori, por ata më thirrën mua. Nuk kanë thirrur prokurorin, më kanë thirrur mua. Dhe kjo është arsyeja pse përgjigja ime ishte kjo - nëse keni ndonjë provë, atëherë dorëzoni ato. Ata i dorëzuan, atë që dorëzuan, do të thoja se nuk ka asnjë esencë, as bazë elementare për asgjë, kështu që këtu mbyllet ajo temë", tha Mickoski. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR