Mickoski: Gjendja e sigurisë është stabile, shqyrtohen masat për përballje me sfidat e mundshme ekonomike
- Gjendja e sigurisë në vend është stabile, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, i cili ishte për vizitë në kompaninë "Aktiv" në Shtip.
- Post By Melahat Baftija
- 14:41, 5 mars, 2026
Shtip, 5 mars 2026 (MIA) - Gjendja e sigurisë në vend është stabile, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, i cili ishte për vizitë në kompaninë "Aktiv" në Shtip.
"Gjendja e sigurisë në vend është e qëndrueshme, e qetë. Deri në këtë pikë, nuk ka rrezik për situatën e sigurisë në vend. Patëm një Këshill të sigurisë, i cili u organizua nga presidentja bazuar në informacionet që morëm nga shërbimet, por edhe nga ministritë përkatëse, këtu kryesisht po mendoj për ministritë e mbrojtjes dhe të brendshme, dhe bazuar në ato të dhëna në këtë pikë mund të them se situata e sigurisë është e qëndrueshme. Ndoshta me kalimin e kohës do të kemi sfida të caktuara ekonomike, më shumë po mendoj këtu për çmimin e burimeve të energjisë të naftës dhe gazit, më shumë për naftën sepse nuk kemi shumë varësi nga gazi. Sezoni i ngrohjes po mbaron, kështu që nga ai aspekt, industria maqedonase nuk ka zhvilluar një rrjet mjaft të madh gazi, por do të kemi presione të caktuara nga industria e naftës. Çmimi do të duhet të rritet, por edhe këtu po shqyrtojmë me Ministrinë e Financave uljen e akcizës, taksave, për të parë se cilat janë opsionet tona për të zvogëluar ndikimin në standardin e jetesës së qytetarëve", deklaroi kryeministri Mickoski.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme po organizon transportin për qytetarët e RMV-së që duan të kthehen nga vendet e prekura nga operacionet ushtarake.
"Tashmë jemi në fazën përfundimtare. Mendoj se evakuimi do të fillojë sot, kështu që nga sot jemi absolutisht të përkushtuar për të siguruar gjithçka që është e nevojshme për funksionimin normal të institucioneve dhe kthimin e sigurt të qytetarëve tanë që duan të kthehen në shtëpi", tha Mickoski.
Theksoi se transporti tashmë është siguruar nga Bahreini, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se kjo do të jetë në ngarkim të shtetit.
"Disa nga ata nga Izraeli dhe vendet përreth, si dhe kushdo që është në rajonin ku ka operacione ushtarake, duhet të ndjekin njoftimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme", tha Mickoski.
Siç njoftoi paraprakisht sot, MPJdheTJ, në orët e pasdites me aeroplanin qeveritar pritet që nga Izraeli drejt Shkupit të fluturojnë shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë kërkuar evakuim. Me këtë, siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në tërësi do të përfundojë evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Izraeli.
Në zonat tjera të goditura nga konflikti ushtarak deri më sot 505 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar Ambasadës në Abu Dabi, 31 persona në Kuvajt, 14 persona në Bahrejn dhe 141 persona në Doha.
“Në ditët në vijim pritet të fillojë kthimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe qytetarëve në Katar, Bahrejn dhe Kuvajt, për të cilët është planifikuar kthimi nëpërmjet fluturimeve të organizuara përmes Mbretërisë së Arabisë Saudite. Procesi i evakuimit po zbatohet sipas një plani të përpunuar tashmë, në përputhje me kushtet e sigurisë dhe në koordinim me institucionet kompetente”, informoi Ministria përkatëse.
Prej atje ju bëjnë thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët ende nuk kanë hyrë në kontakt me përfaqësitë kompetente diplomatike - konsullore, ndërsa kanë nevojë për asistim, ta bëjnë këtë në afatin më të shkurtër të mundshëm përmes numrave kujdestarë të telefonit në përfaqësitë diplomatike – konsullore ose përmes numrit SOS të MPJTJ. mb/
Foto: Qeveria