• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski e vlerëson takimin me Eskobarin si konstruktiv dhe miqësor midis partnerëve strategjikë

Mickoski e vlerëson takimin me Eskobarin si konstruktiv dhe miqësor midis partnerëve strategjikë

Shkup, 26 gusht 2023 (MIA) - Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e ka vlerësuar takimin me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Gabriel Eskobar si konstruktiv dhe miqësor ndërmjet partnerëve strategjikë dhe tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi me të gjithë partnerët tanë strategjikë, me bashkësinë ndërkombëtare, por prioriteti më i lartë është cilësia e jetës së bashkëqytetarëve tanë.

"Kjo qeveri edhe pse ka kredibilitet zero, keqpërdor përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, pjesë e së cilës janë edhe SHBA, me informacione të rrejshme, dhe një pjesë të atyre informacioneve të rrejshme u desh t'i sqaronim gjatë takimit me z. Eskobar dhe ambasadoren Anxhela Ageler dhe vlerësoj se personalisht z. Eskobar qëndrimet e VMRO-DPMNE-së i janë sqaruar. Ne jemi po aq të shqetësuar sa edhe ata për gjendjen aktuale në Maqedoni edhe pse shqetësimi ynë është më i madh sepse, ne ende jetojmë në këtë vend", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve.

Ai përsëriti se edhe pse afrohen zgjedhjet e rregullta, kërkoi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt, sepse siç tha, "politikën e vetme që ka qeveria aktuale është pranimi i diktatit bullgar".

"Nuk kanë dy të tretat, nuk kanë 80 deputetë dhe nuk ka asnjë pikë lidhëse tjetër që do t'i justifikonte të qëndrojnë një ditë më gjatë aty ku janë. Kjo Qeveri, pa legjitimitet popullor dhe kredibilitet politik të barabartë me zero, nuk mund të realizojë reforma, nuk mund ta çojë Maqedoninë në rrugën drejt Evropës", shton Mickoski.

Në pyetjen se pse mendon se Qeveria nuk ka legjitimitet, ai tha se kjo është kështu sepse e vetmja politikë që Qeveria ka bërë periudhën e kaluar, janë siç tha, "ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar”.

Mickoski pohon se pushteti aktual pasi ka parë se nuk do të ketë 80 deputetë, tanimë nuk cakton vazhdimin e seancës duke shkelur Rregulloren e Kuvendit dhe tha se kjo në vete përbën vepër penale.

"Nuk ka politikë tjetër që do të ishte pikë lidhëse dhe justifikim që kjo Qeveri të qëndrojë edhe një ditë më shumë. Ta shpëtojmë Maqedoninë dhe qytetarët për disa muaj, prandaj bëjmë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të ndodhin këtë vjeshtë", theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së.

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR