• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski: E konfirmojmë përkushtimin tonë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sundimin e të drejtës ndërkombëtare

Mickoski: E konfirmojmë përkushtimin tonë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sundimin e të drejtës ndërkombëtare

Uashington, 10 korrik 2024 (MIA) - Për ne si komb i vogël është e rëndësishme që në këtë tubim të marrim vendimet më domethënëse që do të modelojnë të ardhmen e njerëzimit në dekadat e ardhshme, për të cilin do të japim edhe kontributin tonë, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski sot në deklaratën para fillimit të pjesës së punës të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Uashington.

"Si vend jemi gati të shtojmë kontributin tonë në gjithçka që përfaqëson vlerë. Ne jemi këtu së bashku me aleatët tanë për të konfirmuar përkushtimin tonë, si deri më tani ashtu edhe në të ardhmen, se do të promovojmë paqen, stabilitetin dhe sundimin e së drejtës ndërkombëtare", theksoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se "Qeveria e RMV-së dëshiron që ne të jemi krah për krah me aleatët tanë dhe të konfirmojmë shpirtin liridashës të popullit dhe qytetarëve të RMV-së".

"Mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve tona, gjegjësisht të paktën dy për qind të BPV-së të investohen në modernizimin e Armatës sonë, diçka që është shumë e rëndësishme, sepse vetëm kështu do të ndjekim hapat modernë dhe do të ndjekim aleancën më të madhe botërore të mbrojtjes që ka ekzistuar ndonjëherë", shtoi Mickoski.

Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë që së bashku me liderët e tjerë të vendeve-anëtare të NATO-s po merr pjesë në këtë festë të 75-vjetorit të krijimit të aleancës më të madhe të mbrojtjes në historinë botërore, siç tha ai.

Në Samitin e NATO-s në Uashington, Mickoski kryeson delegacionin e RMV-së, në të cilin janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. mb/

   

QËNDRONI TË LIDHUR