• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mickoski: Duhet të ketë tender për operator të tretë celular

Mickoski: Duhet të ketë tender për operator të tretë celular

Shkup, 3 shtator 2024 (MIA) - Duhet të ketë tender për operator të tretë celular, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit Memorandumi për bashkëpunim i nënshkruar dje me operatorin telekomunikues "4iG" është jo detyrues dhe me të kompania vetëm tregon interes.

Siç deklaroi Mickoski, tenderi do të shpallet në periudhën në vijim. Tani kompanitë e interesuara po analizojnë tregun dhe mund të ketë të tjerë që do të nënshkruajnë një memorandum.

Sipas kryeministrit, më e rëndësishmja për Qeverinë është interesi i qytetarëve – konkurrencë më e madhe dhe çmime më të ulëta.

"Duhet të ketë një tender. Memorandumi është jo detyrues, me të cilin kompania “4iG” tregon interes se është e interesuar të dalë në atë tender, nuk mund të jepet sy më sy. Nëse ka kompani të tjera që janë të interesuara dhe duan të nënshkruajnë një memorandum të tillë jodetyrues, ai do të nënshkruhet, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vënies në punë të zgjerimit të çerdhes “Goce Dellçev” në komunën e Ilindenit.

Ai tha sërish se koha e marrëveshjeve private ka përfunduar.

"Ka përfunduar koha e marrëveshjeve private siç ishin në TEK "Oslomej" të Kërçovës, KME "Manastir" të Manastirit. Ka përfunduar koha kur djemtë pa mjekër blinin qendra tregtare në qendër të Shkupit, kur në zyrat qeveritare luhej futboll dhe basketboll. Tani është koha kur Maqedonia duhet të zhvillohet së bashku me qytetarët e saj dhe kur duhet të sundoj ligji. Ky është thelbi i punës së kësaj qeverie, theksoi kryeministri. ls/

Foto: Qeveria e RMV-së

 

   

 

QËNDRONI TË LIDHUR