• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski: Do të bëjmë çmos që çdo fëmijë të ketë libra në vitin shkollor 2024/2025

Mickoski: Do të bëjmë çmos që çdo fëmijë të ketë libra në vitin shkollor 2024/2025

Shkup, 10 mars 2024 (MIA) - Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sot, nga debati në Kumanovë të cilin e organizoi partia e tij, paralajmëroi riorganizim të dikastereve të qeverisë dhe reforma në procesin arsimor. Tha se do të bëhen përpjekje maksimale që të sigurohen libra në vitin shkollor 2024/2025, ndërsa e sqaroi edhe propozimin të cilin, siç theksoi, t'i motivojë profesorët universitarë dhe punonjësit shkencorë që të shkruajnë punime me shtesë 50 për qind pagë.

Qeveria, vlerësoi Mickoski, nuk u përgjigjet rrjedhave bashkëkohore, ndërsa edhe arsimi nuk jep përgjigje për nevojat e tregut dhe të tashmes. 

Sipas VMRO-DPMNE-së, sqaroi lideri i partisë, edukimi parashkollor (kopshtet) duhet të kthehet aty ku e ka vendin, në kuadër të Ministrisë së Arsimit, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale duhet të merret me demografinë dhe të rinjtë. Pjesa "punë", tha Mickoski, nga Ministria e tanishme duhet të transferohet në Ministrinë e Ekonomisë ku punëdhënësit dhe të punësuarit do të komunikojnë drejtpërdrejt dhe bashkërisht do të krijojnë politika dhe do t'i zgjidhin keqkuptimet. 

Mickoski me këtë rast dha informacione se BDI dhe LSDM me qëllim bëjnë kaos vetëm që mos të ketë libra nga 1 shtatori, që pastaj të munden për këtë ta akuzojnë VMRO-DPMNE-në e cila do të formojë, siç tha, qeveri pas zgjedhjeve. 

"Sipas informacioneve që kemi, LSDM dhe BDI e dinë se do të mposhten në zgjedhje dhe se do të largohen, prandaj po mundohen të lënë kaos total që më 1 shtator të vitit shkollor 2024/2025 përsëri disa nga nxënësit nuk do të marrin libra dhe më pas të dalin e të thonë 'ja, e shihni çfarë po ndodh'. Por ne do të bëjmë çmos për të kapërcyer problemin siç po bëjmë tani me dokumentet e udhëtimit. Gjendja tani është dy deri në tre herë më e mirë se në kohën e Oliver Spasovskit. Kështu, ne do të bëjmë maksimumin në aspektin e librave shkollorë, që të mos ndodhë në 2024/2025 të mos ketë libra, por sigurisht që nuk do të ndodhë në 2025/2026. Kjo është porosia ime për qytetarët - po na bëjnë këtë, duan të lënë kaos total, as librat as tekstet shkollore të jenë gati, të thonë se jemi të gjithë njësoj. Jo, nuk jemi të gjithë njësoj, në njërën anë është oferta e Ahmetit, Osmanit, Grubit, Zeçeviqit, Mariçiqit, në anën tjetër është VMRO-DPMNE dhe plani i saj për zhvillimin e shtetit", theksoi Mickoski.

Arsimi, shtoi, duhet të jetë „grassroots“ - proces komplet nga fillimi deri në fund. 

"Arsimi në tërësi nuk i përgjigjet nevojave të tregut, por edhe të tashmes. Gjithnjë e më pak ka vizion për të ardhmen, sikur kemi hyrë në një cikël inercie, 'sot për nesër', ka gjithnjë e më pak aplikim dhe shkencë, shumë vende organizojnë panaire 'studioni në Gjermani, në Slloveni', ndërsa ne sikur të mos kemi asnjë mekanizëm mbrojtës. Ka shumë institucione arsimore që nuk gjenerojnë cilësi por sasi dhe kjo qasje është shumë e gabuar. Ne duhet të merremi me ta, a kemi nevojë për mijëra njerëz diku dhe a ka nevojë vërtet tregu i punës për ta? Duhet të forcohet seriozisht politika në arsimin e lartë, por edhe të punohet për motivimin e kuadrit edukativ dhje arsimor. Propozimi ynë është që shteti të japë çdo muaj shtesë 50 për qind të pagës për çdo kuadër edukativ dhe arsimor që do të botojë një punim në një revistë me faktor ndikimi, e cila është pjesë e bazës së të dhënave të indeksuar 'Ueb od sajëns'. Nëse merr 60.000 denarë, vitin e ardhshëm pas atij kur e boton punimin, duhet të marrë 90.000. Kështu, në atë mënyrë do të shpërblehet edhe kushdo që merret me shkencë", nënvizoi Mickoski.

Në debatin "Platformë arsimore për të ardhmen" tema e të cilit është "Koncepti i ri për zhvillim të arsimit", marrin pjesë edhe Vesna Janevska, kryetare e Komisionit për Arsim dhe Shkencë të VMRO-DPMNE-së, Ivanka Vasilevska, deputete në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe Samoil Malçeski dhe Goce Bumbaroski, anëtarë të Komisionit për Arsim dhe Shkencë të VMRO-DPMNE-së. 

Debatin e udhëheqin Maria Miteva, zëdhënëse dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së dhe Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR