• e premte, 08 nëntor 2024

Mickoski dhe Kurti diskutuan për kërkesat për ekstradim, dy rastet për të dënuarit në "Monstra" dhe për Blerim Ramadanin vazhdojnë në nivel të ministrave të drejtësisë

Mickoski dhe Kurti diskutuan për kërkesat për ekstradim, dy rastet për të dënuarit në

Shkup, 5 gusht 2024 (MIA) - Kërkesat për ekstradim nga Kosova të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, të cilët janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin "Monstra" si dhe rasti për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani, i cili gjendet në arrest shtëpiak në Shkup, ishin tema të bisedës në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrave të Maqedonisë dhe Kosovës Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti. Këto raste, siç theksuan të dy kryeministrat në konferencën e sotme për shtyp në Shkup, do të vazhdojnë në nivel të ministrave të drejtësisë.

"Ne kemi diskutuar këto dy çështje dhe ministrat tanë të drejtësisë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë. Gjithçka do të jetë në funksion dhe drejtim të vlerës së përgjithshme e cila bazohet në kushtetutën dhe ligjet, veprimet dhe procedurat institucionale në të dyja vendet, por edhe në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe evropiane që duam t'i ruajmë", tha Kurti duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e sotme të përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Rasti i dy të arratisurve, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq të cilët janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin "Monstra", theksoi Kurti, gjithashtu është hapur si lëndë edhe në Prokurorinë Speciale Publike të Kosovës.

"Rasti i dy të arratisurve tani është hapur si lëndë në Prokurorinë Speciale Publike të vendit tonë, ndërsa gjithashtu edhe për personin i cili tani gjendet në arrest shtëpiak në Republikën e Maqedonisë së Veriut me kërkesë për ekstradim dhe ky rast është shqyrtuar dhe shpresojmë se sa më shpejtë do të mbyllen këto dy raste, me qëllim që edhe ligjet të zbatohen, por edhe marrëdhëniet ttona fqinjësore të ruhen", deklaori Kurti.

Për atë nëse në takim është diskutuar dhe për arrestimin e Ramadanit nga autoritetet e Maqedonisë, kryeministri i Kosovës tha se kjo është diskutuar në takimin e sotëm, duke theksuar se "nuk ka çështje as temë e cila është e rëndësishme dhe që nuk është diskutuar".

"Ky ishte një takim i hapur, serioz dhe i sinqertë sepse marrëdhëniet e qëndrueshme ndërtohen vetëm në këtë mënyrë. Diskutimin do ta vazhdojnë dy ministrat tanë të drejtësisë", deklaroi Kurti.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se kryeministri i Kosovës Kurti tashmë ka dhënë një përgjigje për këtë pyetje dhe se do të ishte e kotë të përsëritej, por se në interes të transparencës do ta përsëris.

"Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin "Monstra" dhe presim, siç e thashë në fillim, që marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dypalëshe të shkojnë vetëm në drejtim pozitiv, dhe jo të kthehemi prapa. Përkundrazi, ky takim është mesazh se duam t'i rrisim dhe përmirësojmë marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive", theksoi Mickoski.

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, më 31 korrik të këtij viti ka thënë se ka nënshkruar kërkesën për ekstradim të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale "terrorizëm". Siç ka sqaruar ai, këto dy kërkesa janë dorëzuar në Ministrinë e Kosovës dhe pritet një përgjigje.

Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, u arrestua më 17 korrik 2024 në vendkalimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë dhe u transferua menjëherë në burgun e Shutkës në Shkup, pas së cilës me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar fillimisht i është caktuar masa e paraburgimit ekstradues për 30 ditë. Javën e kaluar, Gjykata Penale vendosi që Ramadani të transferohet nga paraburgimi ekstradues në arrest shtëpiak në Shkup. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR