Mickoski: Deri në fund të javës do të definohen kushtet për kredinë hungareze për ekonominë
- Deri në fund të javës do të definohen plotësisht kushtet për marrjen e mjeteve nga kredia hungareze për ekonominë në vlerë deri në 250 milionë euro, paralajmëroi sot numri një i qeverisë, Hristijan Mickoski dhe u bëri thirrje kompanive që të përgatisin projekte të qëndrueshme dhe plan biznesor në mënyrë që të mund të aplikojnë për marrjen e mjeteve në kushte të favorshme.
- Post By Fami Bajrami
- 13:07, 25 nëntor, 2024
Shkup, 25 nëntor 2024 (MIA) - Deri në fund të javës do të definohen plotësisht kushtet për marrjen e mjeteve nga kredia hungareze për ekonominë në vlerë deri në 250 milionë euro, paralajmëroi sot numri një i qeverisë, Hristijan Mickoski dhe u bëri thirrje kompanive që të përgatisin projekte të qëndrueshme dhe plan biznesor në mënyrë që të mund të aplikojnë për marrjen e mjeteve në kushte të favorshme.
Ai theksoi se do të mbështeten kompanitë që do të investojnë në asete bazë për punë, në burime të rinovueshme të energjisë, si dhe në objekte që do të përdoren si ndërtesa të tyre administrative, pra për nevojat e tyre. Shuma maksimale që mund të marrin është e kufizuar në 10 milionë euro që do të thotë se kredia do të jetë deri në tetë milionë euro, ndërsa dy milionë eurot e mbetura do të jenë nga pjesëmarrja e tyre. Norma e interesit prej 1.95 për qind do të jetë fikse, pavarësisht sasisë së parave që do të marrin nga kredia.
"Me disa nga bankat kemi siguruar normën historikisht më të ulët të interesit prej 1.95 për qind në kushte të një grejs periudhe deri në tre vjet ku do të paguhet vetëm norma e interesit në një afat shlyerje deri në 15 vjet. Mendoj se kjo është mirë për ekonominë, duke marrë parasysh se detyrim i kompanive është që ta financojnë projektin me të paktën 20 për qind të mjeteve të tyre. Bëhet fjalë për investim prej së paku 300 milionë euro dhe kur ia shtojmë kësaj edhe 500 milionë euro të tjera që i rialokojmë nga buxheti për komunat bëhen 800 milionë euro", ka thënë Mickoski në pyetjen e gazetarëve pas vënies së gurthemelit për ndërtimin e kopshtit të ri në lagjen Rasadnik në komunën e Kisella Vodës.
Duke marrë parasysh se BPV-ja është projektuar në 16 miliardë euro, shton ai, bëhet fjalë për mjete në vlerë 5 për qind të BPV-së që duhet të investohen gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm.
"Është mjet me të cilin do të luftojmë kundër krizës eventuale ekonomike për shkak të krizës në industrinë e automobilave në Evropë. Nga aspekti i burimeve energjetike në vendin tonë, mendoj se situata është optimale dhe se këtë dimër do ta kalojmë pa tronditje dhe shqetësime të mëdha në treg. Të gatshëm e mirëpresim atë dhe mund të jemi të parët në rajon dhe në Evropë", ka thënë Mickoski.
Foto: MIA