• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Mickoski: Deri më 28 maj ka mundësi koalicioni "Maqedonia e juaj" të konsolidojë 61 deputetë

Mickoski: Deri më 28 maj ka mundësi koalicioni

Shkup, 9 maj 2024 (MIA) - Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski pret që deri më 28 maj të formohet parlamenti i ri dhe paralajmëron se deri në atë termin ka mundësi që VMRO-DPMNE dhe koalicioni "Maqedonia e juaj" të konsolidojë 61 deputetë. 

"Tashmë ka njoftime nga deputetët e rinj që planifikojnë të mbështesin qeverinë e re. Deri më 28 maj pres të konsolidoj 61 deputetë si kryetar partie. Ju përmendët 58 deputetë ose pak më shumë se 436.000 vota, diçka që nuk mbahet mend deri më tani me një pjesëmarrje të tillë dhe një përqindje të tillë votash të fituara nga pozicioni i opozitës. Dhe vlerësoj se ky rezultat historik ndoshta do të ishte shumë i vështirë të përsëritej në të ardhmen", tha Mickoski sonte në emisionin "Samo intervju" për Kanal 5.

Ai përsëri konfirmoi se koalicioni VLEN do të jetë partneri i tyre kryesor i koalicionit, të cilin e vlerësoi si përfaqësues të vërtetë të bashkësisë shqiptare në vend, dhe shtoi se në qeverinë e ardhshme janë të mirëseardhur të gjithë që do ta respektojnë programin parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së. 

"Me 107.000 vota të fituara, koalicioni VLEN konfirmoi besueshmërinë e tij për të qenë partner i besueshëm i qeverisë së ardhshme që do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni 'Maqedonia e juaj'. Ne do t'i japim një shans të gjithëve edhe pse nuk pres që BDI të pranojë politikat e reja të qeverisë. Ahmeti u rrethua me njerëz të gabuar, ndaj përgjegjësia e tij është të shkojë në opozitë. Megjithatë, për reforma sistematike na duhen 80 deputetë në Parlament dhe për këtë do t'u japim mundësi të gjithëve", tha Mickoski.

Paralajmëroi se demografia dhe fertiliteti do të jenë sfidë e madhe për qeverinë e re dhe porositi se do të reformohen ministritë dhe do të ketë transferim të kompetencave nga një në ministri tjetër, si dhe se më nuk do të ketë ministra pa dikaster. 

Nesër, siç tha, do të ketë takim me partnerët e koalicionit nga "Maqedonia e juaj" në të cilin do t'i dëgjojë edhe mendimet dhe propozimet e tyre për qeverinë e ardhshme të koalicionit. 

"Komunikimet joformale me partnerin e mundshëm të koalicionit VLEN ekzistojnë edhe tani, por fillimisht duhet të kemi takime me koalicionin 'Maqedonia juaj' dhe të zgjedhim njerëz që do të negociojnë dhe për ta duhet miratim nga autoritetet e partisë", theksoi Mickoski dhe shtoi që nuk dëshiron të zhvillojë bisedime nën presion dhe ultimatum, por me dialog dhe argumente.

Theksoi se ai është i pari që dëshiron ta shohë vendin në BE, por shtoi se nuk pranon ultimatume me të cilat, siç tha, populli i Maqedonisë do t'i paguajë gabimet e disa politikanëve të paarsyeshëm. 

"Duhet të dëshmojmë karakter nëse duam të na respektojnë, e jo të jemi të nënshtruar", potencoi Mickoski. fc/

Fotografia: VMRO-DPMNE

QËNDRONI TË LIDHUR