Mickoski brenda javës së ardhshme pret propozim për ministër të ri të Shëndetësisë
- Kryeministri Hristijan Mickoski brenda javës së ardhshme pret të ketë propozim nga "Vlen" për ministër të ri të Shëndetësisë, pasi ministri i mëparshëm Arben Taravari u largua nga funksioni, pas mosmarrëveshjeve me partnerët e tij nga koalicioni "Vlen".
- Post By Fami Bajrami
- 15:44, 21 maj, 2025
Shkup, 21 maj 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski brenda javës së ardhshme pret të ketë propozim nga "Vlen" për ministër të ri të Shëndetësisë, pasi ministri i mëparshëm Arben Taravari u largua nga funksioni, pas mosmarrëveshjeve me partnerët e tij nga koalicioni "Vlen".
"Dje pas mbajtjes së seancës së qeverisë kishim, do të thoja, koordinim koalicioni, diskutuam për atë se çfarë na pret në periudhën që është para nesh. Kemi vendosur fundin e kësaj jave si afat për të definuar vendimet kadrovike dhe për t'i dorëzuar ose të hënën ose të martën para deputetëve në Kuvend", deklaroi sot Mickoski.
Ai tha se si kryetar i Qeverisë ka të drejtë të thotë "jo" nëse si propozim paraqitet një person me të cilin nuk mund të bashkëpunojë.
Potencoi se shëndeti publik është një nga prioritetet e tij kryesore dhe se fokusi i tij është drejt këtij sektori, por se ka shumë probleme që duhet të zgjidhen.
Si shembull, ai potencoi hapësirën e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, në të cilën duhej të ishin instalimet elektrike për furnizimin me energji të objektit, ku gjendja nuk i ngjante objektit shëndetësor publik.
"Shpresoj se edhe qytetarët të shohin se çfarë rrënimi la pas Qeveria e mëparshme, veçanërisht në atë pjesë që mund të jetë shumë rrezik për të gjithë. Por kjo është vetëm një pjesë. Besoj në mënyrën në të cilën po menaxhohet shëndeti publik, shumë gjëra duhet të korrigjohen. Jam i vetëdijshëm se njerëzit janë të padurueshëm, por ne duhet të jemi të durueshëm dhe të vazhdojmë të punojmë", tha Mickoski.
Në lidhje me investimet në shëndetësi, tha se së shpejti do të vazhdojë ndërtimi i Qendrës klinike në Shtip, Fakulteti i Mjekësisë, Konvikti i studentëve, spitali në Kërçovë, Shtëpia shëndetësore dhe rikonstruimi i Spitalit klinik të Tetovës. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s