• e enjte, 26 dhjetor 2024

MIA pyeti qytetarët për përvojën e tyre me transportin publik: Reduktimi i autobusëve krijon pakënaqësi të përgjithshme

MIA pyeti qytetarët për përvojën e tyre me transportin publik: Reduktimi i autobusëve krijon pakënaqësi të përgjithshme

Shkup, 2 shtator 2024 (MIA) - Pas paralajmërimeve për numrin e reduktuar të autobusëve në një pjesë të linjave përmes Shkupit, MIA ka pyetur qytetarët për përvojën e tyre me transportin publik në kryeqytet.

"Secili ka nevojë të arrij diku, të kryej ndonjë punë dhe në kohë të kthehet, megjithatë, kjo nuk mundet të ndodhë", thotë një qytetar në deklaratën për MIA-n në stacionin e autobusit ku prej kohësh e pret autobusin për në shtëpi. Udhëtarët thonë se ka rrëmujë, autobusët vijnë rrallë dhe ka pritje të gjata. Autobusët e reduktuar, sipas tyre, krijojnë pakënaqësi të përgjithshme.

Lidhur me problemin me transportin publik në Shkup i cili vazhdon tash e një kohë të gjatë sot është mbajtur takim i disa kompanive private me drejtorin e NQP “Shkup”, Dragi Kushovski dhe sekretarin e Qytetit të Shkupit. Transportuesit privatë paralajmëruan deklaratë për media në orën 13.

Transportuesit privatë kërkojnë që t'u paguhet borxhi dhe të rritet çmimi, i cili, siç theksojnë, është që para tetë vitesh, më saktë që nga viti 2017. Nga ana tjetër, Ndërmarrjes së Transportit Publik i mungojnë autobusë për të mbuluar orarin dimëror i cili fillon nga sot. 

Drejtori i Ndërmarrje së Qarkullimit Publik Dragi Kushovski në intervistën e dhënë për MIA-n në gusht deklaroi se nuk kanë numër të mjaftueshëm të autobusëve për ta mbuluar orarin veror, e jo më dimëror dhe u bëri thirrje institucioneve që të përgatiten për rindërtimin e parkut të automjeteve të NQP-së. 

Me qëllim për t'i tejkaluar problemet, më 22 gusht është mbajtur takim me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe me përfaqësuesit e grupit të këshilltarëve në Këshillin e Qytetit të Shkupit, pas çka u arrit marrëveshja me këshilltarët për të mbështetur ridedikimin e mjeteve për riparimin e 30 autobusëve të NQP-së.

Më 29 gusht, në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit nuk morën mbështetje projektet për furnizimin e autobusëve të rinjë dhe Transportit të shpejtë me autobusë, pas çka kryetarja e Qytetit të Shkupit i dërgoi letër të hapur Qeverisë, në të cilën i bën thirrje që të zbatojë furnizimin e autobusëve të rinj, ndërsa nëse nuk kanë mjete për atë qëllim me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit do t'i transferojnë mjetet e nevojshme për furnizim.

Prej sot transporti urban i autobusëve në Shkup do të reduktohet. Një pjesë e autobusëve privatë do të qarkullojnë vetëm në mëngjes, nga ora pesë. Një autobus do të qarkullojë vetëm një turn, në një linjë. Këto janë autobusët me numër 45, 23, 63, 73, 61, 63, 22, 52, 54, 19 dhe 20. Pastaj autobusët do të mbeten në garazh, ndërsa shoferët do t'u bashkohen kolegëve të tyre që nuk do të vozisin.

Transporti publik i organizuar nga ana e "Vestor trans" sot, megjithatë, vazhdon të funksionojë pa ndërprerje dhe në përputhje me orarin. Këto janë autobusët me numër 9, 11, 11a, 12, 47 dhe 55. 

Nga Qyteti i Shkupit, nga ana tjetër, sot njoftuan se ndërmarrja publike funksionon normalisht. 

"Transporti publik urban sot në mëngjes ka funksionuar normalisht, përkundër përpjekjeve dhe presioneve politike të VMRO-DPMNE-së për të shkaktuar vështirësi të reja për qytetarët e Qytetit të Shkupit. Fatkeqësisht, një pjesë e mediave ranë pas narratives së partisë në pushtet, duke shkaktuar ndjenjën e pasigurisë tek banorët e Shkupit. Për momentin, transporti publik urban shërbehet nga të gjithë autobusët e NQP-së, si dhe autobusët e transportuesit privat ndaj të cilëve qyteti i Shkupit dhe NQP nuk kanë ndonjë detyrim të papaguar", thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR