• e shtunë, 21 shtator 2024
MIA Flesh

15:00/20 shtator/2024

Shkup - Qeveria sot në seancë të jashtëzakonshme e ka marrë propozim vendimin të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për kufizimin e bruto marzhës përfituese deri në 10 për qind, me të cilën do të përfshihen qinda produkte ushqimore bazike në tregtinë me shumicë dhe pakicë, bukë, produkte të furrës dhe produkte bujqësore, qumësht, mish dhe përpunime të mishit, një pjesë të produkteve të konservuara, fruta dhe perime,... Për këtë informoi kryeministri Hristian Mickoski, i cili theksoi se vendimi sapo është marrë në seancën e jashtëzakonshme onlajn të Qeverisë, e cila është duke vijuar dhe se për më shumë detaje do të informojë ministri i Ekonomisë dhe Punës , Besar Durmishi.

Shkup - Me ftesë të ministrit të Punë të BE-së të Hungarisë, ministri i Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Budapest realizoi takim me homologun e tij hungarez, Janos Boka. Takimi u përqendrua në avancimin e procesit të aderimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, i cili është një nga prioritetet kryesore të Hungarisë në kuadër të kryesimit të saj me Këshillin e Unionit Evropian. Ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen permanente dhe të zëshme nga ana e Hungarisë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimorë.

Shkup - Së pari duhet të marrim informacione se në çfarë gjendje është spitali modular, pastaj të shohim nëse disa prej tyre mund të kthehen në përdorim jo vetëm në disa institucione shëndetësore publike, por edhe në çdo administratë tjetër, tha sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të Marrëveshjes për blerjen e aparatit mobil të rëntgenit, Taravari tha se për spitalin modular nga klinika Infektive ka interesim nga burgu i "Idrizovës".

Shkup – Nuk e di nëse është nepotizëm, por nuk mund t’ia ndalojmë drejtorit që të marrë këshilltar me të cilin mendon se më mirë do ta udhëheqë Klinikën, veçanërisht nëse bëhet fjalë për njeri me përvojë në qeverisje të mirë dhe udhëheqje të mirë në institucion shëndetësor, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari lidhur me angazhimin e Alajdin Memedit si këshilltar në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve ku drejtor është Rexhep Memedi. Sipas Taravarit, rezultatet tregojnë se Alajdin Memedi është një nga drejtorët më të suksesshëm i cili ka udhëhequr me ndonjë institucion shëndetësor, ndërsa nëse është paraparë me sistematizim, drejtorët mund të marrin këshilltarë. 

Kumanovë - Ministria e Administratës Publike nuk e komenton masën kohore të Gjykatës kushtetuese për "balancuesin", zgjidhja ligjore do të pret derisa nuk ka vendim përfundimtar, deklaroi sot ministri i Administratës Publike, Goran Minçev në diskutimin e dytë publik nga fushata "Të gjithë së bashku për administratë profesionale dhe cilësore publike", e cila është mbajtur në Kumanovë. Ai potencoi se personalisht e përshëndet vendimin e Gjykatës kushtetuese dhe përsëriti se "balancuesi" me vite "është keqpërdorur".

Ohër - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska sot në Ohër tha se qëndron prapa paralajmërimeve se do të ketë rritje të pagave për të punësuarit në arsim.  Ajo në margjinat e 23 vjetorit të Konferencës së bursës së Maqedonisë para mediave, deklaroi se buxheti mbetet për t'u hartuar, por se qëndron fuqishëm në qëndrimin e rritjes së pagave për mësimdhënësit në shkollat ​​fillore dhe të mesme. "Të mbarojmë buxhetin, por një nga gjërat që unë qëndroj me vendosmëri është rritja e pagave për arsimin fillor dhe të mesëm për mësimdhënësit. Lufta ime gjithashtu është që të sigurojmë mjetet për rritjen e pagave në shëndetësi", theksoi ajo në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve.

Kumanovë – Gjithsej 80 komuna aplikuan në thirrjen publike të Qeverisë për marrjen e mjeteve për realizim të projekteve infrastrukturore në komuna, janë parashtruar 358 propozim projekte, periudhën e ardhshme do të vijojë procesi i vlerësimit, njoftoi sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski i cili me ministrin e Administratës Publike, Goran Minçev dhe përfaqësuesin e BNJVL dhe kryetarin e komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski morën pjesë në diskutimin e dytë publik nga fushata "Të gjithë bashkë për administratë publike profesionale dhe cilësore". 

Shkup - Hiqet tërësisht ndalesa për lëvizje në pyje dhe tokë pyjore për shkak të vlerësimit për rrezik të zvogëluar nga paraqitja e zjarreve pyjore, informoi Ndërmarrja publike "Pyjet kombëtare". "Në pajtim me Kërkesën nga NP 'Pyjet kombëtare' nr. 11-341/5 nga data 17.092024, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e dha pëlqimin për heqjen e plotë të ndalesës për lëvizje në pyje dhe tokë pyjore, të lëshuar më 15.07.2024, për shkak të vlerësimit për rrezik të zvogëluar nga paraqitja e zjarreve pyjore në sipërfaqet nën pyje dhe tokë pyjore, me të cilat menaxhon NP 'Pyjet kombëtare'", informojnë nga ndërmarrja publike.

Shkup - Lidhja e sindikatave të Maqedonisë (LSM) pret rritje të vogël të shportës minimale sindikaliste që do të kumtohet të hënën apo të martën e javës së ardhshme. Kjo, siç theksoi sot kryetari i LSM-së, Sllobodan Trebdafillov, do të jetë alarm i kuq për kreatorët e politikave dhe për punëdhënësit në sektorin privat, se "rritja e rrogave ka qenë e nevojshme dje, sepse sot është vonë tashmë". Është mirë që po bëhet në interes të punëtorëve, posaçërisht në drejtim të uljes së çmimeve, vlerësoi Trendafillov në konferencën për shtyp lidhur me propozimin qeveritar që parasheh kufizim të marzhit bruto përfitues deri 10 për qind për qindra produkte themelore ushqimore. Megjithatë, tha, ideja e tillë duhet të zbatohet në tërësi.

Shkup- Gjykata e Apelit Shkup e shfuqizoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup kundër ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Muhamed Zeqiri për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe lëndën e ktheu në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Duke vepruar në lëndën penale KOKZH- 16/24, pas seancës së mbajtur publike më 5 qershor të këtij vit, më 6 shtator, gjykata e Apelit Shkup mori vendim me të cilin e ka marrë parasysh ankesën e të akuzuarit M.Z. nga S. dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup, sipas ankesës dhe sipas detyrës zyrtare, është shfuqizuar dhe lënda është kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Shkup - Është duke vijuar gjykimi në Gjykatën Themelore Penale Shkup për vrasjen e dyfishtë të të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi. Në gjykatë të pranishëm janë të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, pas vendimit të Këshillit gjyqësor për bashkimin e veprave të të pandehurve, pasi Prokuroria Themelore Publike së pari ngriti akuza kundër katër personave, ndërsa pastaj dhe ndaj të dyshuarit të parë Lupço Palevski për të cilin pritej ekstradimi nga Turqia.

Shkup - Paga e paguar mesatare mujore neto për të punësuar, në korrik të këtij viti ka qenë 40.961 denarë dhe është për 2,9 për qind më e lartë se muajin e njëjtë vitin e kaluar, kumtoi Enti shtetëror për statistikë. Rritja e tillë ka të bëjë, para së gjithash, me rritjen e pagës së paguar mesatare mujore neto për të punësuar në sektoret: Arsim (19,1%), Veprimtaritë financiare dhe veprimtaritë e sigurimit (18,6%) dhe Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi i detyrueshëm social (16,7%).

Shkup - Për shkak të një defekti, pa ujë nga ora 11 do të mbeten shfrytëzuesit e dhjetë ndërtesave rr. "Arhiepiskop Dostiej" në lagjen Çair, njoftoi NP "Ujësjellësi dhe Kanalizimi" -Shkup. Furnizimi me ujë do të jetë në ndërprerje deri në përfundimin e punimeve. 

Sofje - Konsideroj se toni i përdorur nga Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do ta ndihmojë atë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, deklaroi sot në Sofje kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev. "Bullgaria është partner i parashikueshëm, besnik ndaj BE-së. Nuk ka me çka t'i befasojmë vendet tjera anëtare. Ne mbështesim zgjerimin dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kemi bërë mjaft kompromise me identitetin kombëtar. Republika e Maqedonisë së Veriut thjesht duhet të përmbushë kërkesat e BE-së", tha Gllavçevi.

Bruksel - Me momentumin e tanishëm në zgjerimin e Bashkimit Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut ka mundësi reale të përparojë në rrugën drejt BE-së dhe t'i bashkangjitet familjes sonë, theksoi kreu i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel në kumtimin në Iks kushtuar takimit të tij të djeshëm me kryeministrin, Hristian Mickoski në Bruksel. "E përshëndes orientimin gjeostrategjik dhe përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE", theksoi Mishel.

Bruksel - Komisioni Evropian sot propozoi një pako gjithëpërfshirëse të ndihmës financiare për Ukrainën e cila përbëhet nga Mekanizmi i bashkëpunimit të huasë për Ukrainën, në vlerë deri në 45 miliardë euro, si dhe një kredi emergjente për ndihmë makrofinanciare në shumë prej 35 miliardë euro. Mjetet për këtë plan i cili, sipas KE-së paraqet një hap vendimtar në rritjen e mbështetjes për Ukrainën, do të sigurohet nga të ardhurat nga asetet e ngrira ruse, pas çka duke dërguar një sinjal të qartë se barra e rindërtimit të vendit do të mbahet nga ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e tij.

Kiev - BE-ja do të miratojë hua deri në 35 miliardë euro për Ukrainën për të ndihmuar këtë vend të mgecur në një luftë të vështirë me Rusinë,  publikoi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajeni. Huaja, e cila u paralajmërua gjatë një vizite së shefes  së Komisionit në Kiev, është pjesë e një plani më të gjerë nga vendet e G7 për mbledhjen e mjeteve me përdorimin e të ardhurat e mjeteve të ngrira ruse  për të sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit. 

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, gjatë vizitës së sotme të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në Kiev deklaroi se "Plani për fitoren" e Ukrainës në luftën kundër Rusisë varet nga vendimet e shpejta që do t'i marrin aleatët këtë vit. Në konferencën e përbashkët me shefen e KE-së, Zelenski tha se Ukraina planifikon ta shfrytëzojë huanë e propozuar prej shumë miliard dollarë nga Bashkimi Evropian për blerjen e sistemit për mbrojtje kundër ajrore, energjisë dhe armëve nga prodhimi vendor. 

Kiev – Këshilli ukrainas i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare sot ua ndaloi ushtarëve dhe nëpunësve që ta shfrytëzojnë aplikacionin Telegram në pajisjet e tyre elektronike për shkaqe sigurie. “Është vendosur të ndalohet instalimi dhe përdorimi i Telegramit në pajisjet zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë, personelit ushtarak, të punësuarve në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në kompanitë të cilat punojnë në infrastrukturë kritike”, njoftoi Këshilli. 

Las Vegas - Pas koncerteve në Mynih, Gjermani, ku performoi për katër javë, Adele vazhdon turneun në SHBA, por çmimet e larta të biletave kanë zemëruar simpatizantët. Adele do të zhvillojë një sërë koncertesh në Las Vegas nga fundi i tetorit deri në fund të nëntorit. Biletat në pjesën e pasme të sallës, p.sh. vijojnë nga 3.500 dollarë deri në 4.800 dollarë, ndërsa ato për vendet afër skenës kushtojnë më shumë se 5.000 dollarë.

Paris- Ish kryetari i UEFA-s dhe fitues i trefishtë i "Topit të artë", Mishel Platini  propozoi të ulet numri i lojtarëve në fushë, që të rritet vlera zbavitëse e ndeshjeve të futbollit. "Ndoshta duhet të tërheqim një njeri dhe të luajmë me 10 lojtarë në fushë. Në vitin 1900 janë formuar ekipe me 11 lojtarë, por në atë kohë ata vraponin më pak se sot. Ata ishin më pak të fuqishëm, ishin më të ngadalshëm. Për këtë shkak, ndoshta do të ishte ide e mirë të kufizohet numri i lojtarëve. Kjo do të lirojë hapësirë në fushë", deklaroi Platini për "RMC Sport".

Barcelonë - Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik ka folur për humbjen ndaj Monakos në ndeshjen e xhiros së parë të turneut kryesor të Ligës së kampionëve. Klubi katalunas mbrëmë ka humbur në terrenin mysafir 2:1. "Ne dhamë gjithçka gjatë gjithë ndeshjes, por patjetër të pranojmë se Monako e meritonte fitoren. Tani duhet të nxjerrim një mësim dhe të kthehemi më të fortë. Kemi edhe shtatë shanse të tjera. Duhet ta pranojmë këtë disfatë. Kam besim se me rikthimin e lojtarëve të lënduar, Barcelona do të bëhet një ekip më i fortë", deklaroi Flik për "Football Espana".

QËNDRONI TË LIDHUR