• e martë, 03 shkurt 2026
MIA Flesh

9:00/ 3 shkurt/ 2026

Shkup– Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali i cili prej dje ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Bruksel, sot do të takohet me komisaren e BE-së për zgjerim, Marta Kos. Përveç me Kosin, gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel që nga marrja e detyrës, Sali do të takohet edhe me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim dhe partneritet lindor (DG INEST), Gert Jan Kopman. Dje, në ditën e parë të vizitës, Sali realizoi takim me raportuesin në hije të Parlamentit Evropian për vendin, eurodeputetin slloven Matej Tonin ku fokusi ka qenë mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e reformave kyçe, përfshirë sundimin e ligjit, administratën publike dhe të drejtat e komuniteteve.

Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski e ka filluar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me takim pune në Korporatën MITRE, një nga institucionet më me ndikim dhe më të besueshëm që punon drejtpërdrejt për Qeverinë e SHBA-së në fushën e sigurisë kibernetike për dekada të tëra dhe menaxhon disa qendra FFRDC (Federally Funded Research and Development Centers). Siç informon Ministria e Transformimit Digjital, në takim u diskutuan tema me rëndësi kyçe për shtetin modern dhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale të sigurt, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja me fokus në konfidencialitet dhe validitet, sigurinë kibernetike dhe rezistencën kombëtare kibernetike për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe platformave shtetërore, qeverisjen digjitale dhe menaxhimin e të dhënave për pjekurinë digjitale institucionale dhe ndërveprimin, si dhe fushat me standarde të larta sigurie - aviacion, siguri dhe sistem të kujdesit shëndetësor.

Shkup- Sot në Qeveri do të mbahet aktivitet promovues me rastin e fillimit të implementimit të Ligjit për punësim të personave. Në këtë ngjarje do të prezantohen risitë në Ligj, aktivitetet për zbatimin e tij dhe efektet e pritura. Siç informon Ministria e Ekonomisë dhe Punës, janë planifikuar edhe deklarata për mediat

Shkup - Në Kuvend sot seancë do të mbajë Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor. Në rend të ditës së Komisionit të Kuvendit është Raporti për punën e Komisionit rregullator për banim, prej 1 korrikut deri 31 dhjetor 2025.

Shkup – Me qëllim të avancimit të reformave gjyqësore dhe afrimin drejt standardeve evropiane, sot në Shkup do të mbahet konferenca “Fuqizimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut.  Fokusi do të vendoset në hapat konkretë për përmirësimin e transparencës, modernizimit digjital dhe optimizimit të rrjetit gjyqësor, si pjesë e Strategjisë Zhvillimore të Sektorit për Gjyqësorin 2024–2028. Konferenca do të fillojë me fjalime hyrëse të ambasadorit të BE-së në shtet, Mihalis Rokas, kryetarit të Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov. 

Shkup - Ambasadorja e Japonisё, Secuko Kavahara do të nënshkruajë dy kontrata të reja nё kuadёr tё Grant programit pёr projekte tё vogla dhe siguri njerëzore (GGP), nё vlerё totale prej 81.956 euro. Siç informon Ambasada, nё kёtё ceremoni do tё nёnshkruhen kontrata pёr Projektin për furnizim me një pajisje për ultratinguj për ISHP Klinikën Universitare për Endokrinologji, Diabet dhe Sëmundje Metabolike dhe për Projektin për furnizim me një automjet zjarrfikës për komunën e Sveti Nikoles.

Shkup– Klinika e Pulmologjisë dhe Alergologjisë – Shkup sot organizon ngjarje për zgjedhjen dhe ndarjen e mirënjohjeve për punëtorët më të mirë për vitin 2025.  Në këtë ngjarje do të ndahen mirënjohje në gjithsej shtatë kategori, me të cilat, siç bën të ditur Klinika, vlerësohen përkushtimi, profesionalizmi dhe puna ekipore e punonjësve shëndetësorë dhe njësive organizative.  Ndarja do të mbahet në praninë e gjithë kolektivit të Klinikës, ndërsa për gjashtë kategoritë e para do të jepen mirënjohje dhe shpërblime në të holla. 

Shkup - Numri i punëtorëve në industri në periudhën janar – dhjetor të vitit 2025 krahasuar me periudhën janar - dhjetor të vitit 2024, është zvogëluar për 3,5 për qind, njoftoi Enti shtetëror për statistikë. Ndërkaq, numri i të punësuarve në industri në dhjetor vitin e kaluar, krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2024 është zvogëluar për 2,8 për qind.  Numri i punëtorëve në sektorin Minierat dhe gurorët gjatë muajit dhjetor të vitit 2025, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak, shënon rënie për 6,0 për qind, në sektorin Industria përpunuese për 2,7 për qind, ndërsa në sektorin Furnizime me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar për 0,5 për qind.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore në mëngjes po zhvillohet në kushte të dimrit, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Dukshmëri e zvogëluar deri 60 metra për shkak të mjegullës ka në aksin rrugor Gjevgjeli - vendkalimi kufitar "Bogorodicë". "Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e jonë nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti", informoi LAMM.

Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli. Do të fryjë erë e lehtë, ndërsa gjatë Vardarit erë mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -4 deri 3, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 6 deri 11 gradë.  Në Shkup mot i ndryshueshëm me vranësira me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të bie deri në -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 9 gradë.  Sipas DPHM-së, nga e mërkura moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut, ndërsa në male më të larta me reshje të borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, ndërsa të mërkurën erë e fuqishme nga drejtimi juglindor. Temperaturat do të rriten.

Bruksel – Ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian sot do të mbajnë takim onlajn kushtuar sfidave me të cilat përballen operatorët e transportit nga rajoni gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në zonën Shengen. Sipas paralajmërimeve, në takim do të marrin pjesë ministrat e Brendshëm, të Transportit dhe Çështjeve evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Drejtorive të përgjithshme të Komisionit Evropian për zgjerim dhe partneritet lindor (DG INEST), Lëvizshmëri dhe transport (DG MOVE) dhe migracion dhe punë të brendshme (DG HOME). Çështja e sfidave për transportuesit u aktualizua pas bllokimit të vendkalimeve kufitare drejt zonës Shengen nga shoferët e kamionëve në rajon, pas së cilës të mërkurën u mbajt një takim midis përfaqësuesve të Komisionit dhe ambasadorëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Kiev – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi mbrëmë se numri i sulmeve ruse ndaj kapaciteteve energjetike në vendin e tij është ulur.  Edhe pse lokacionet infrastrukturore në zonat e frontit përsëri u goditën nga granatimet, duke përfshirë edhe gjeneratorë lokalë të rrymës, gjatë ditës nuk kishte sulme me raketa ose fluturake luftarake pa pilot “Shahed”, tha Zelenski në video paraqitjen e tij të mbrëmjes.  Ai ia atribuoi këtë ulje presionit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  “Kjo tregon se kur Shtetet e Bashkuara kanë motiv që me të vërtetë ta ndryshojnë situatën, situata mund të ndryshojë”, tha Zelenski. 

Kiev– Kievi dhe qyteti i dytë për nga madhësia në Ukrainë, Harkovi, përsëri ishin cak i raketave dhe dronëve luftarakë rus, transmetoi DPA.  Timur Tkaçenko, shef i administratës ushtarake të Kievit, sot në mëngjes në Telegram paralajmëroi për sulme ruse të cilët përfshijnë raketa balistike. Agjencia ukrainase e lajmeve Ukrinform informoi për disa shpërthime në Kiev. Sipas raporteve të pakonfirmuara mediatike, janë goditur dy termocentrale.  Harkovi, në Ukrainën lindore, ishte goditur nga të paktën dy raketa, deklaroi kryetari Igor Terehov. Ai gjithashtu informoi për “sulm masiv” në të cilin ishin përfshirë dronë ushtarakë. 

Kiev - Një delegacion ukrainas është nisur për në takimin trilateral në Abu Dabi, deklaroi mbrëmë presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski në video fjalimin e tij të rregullt dhe shtoi se ekipi ukrainas vazhdon të punojë me palën amerikane për arritjen e zgjidhjes paqesore. Sot ka pasur takim me delegacionin tonë - ata tani janë rrugës. Takimet do të jenë të mërkurën dhe të enjten. Dhe jo vetëm formati trilateral, por edhe formati i ynë bilateral me Amerikën...Jemi të gatshëm për garanca të sigurisë. Përfaqësuesit qeveritarë punojnë në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Ukrainës, ekipet tona aktivisht janë përfshirë në këtë", tha Zelenski. Ai theksoi se është jashtëzakonisht me rëndësi që SHBA-ja me vendosmëri ta përkrahin dialogun dhe bashkëpunimin me palën ruse në këtë moment.

Uashington - Liderët republikanë në Kongresin e SHBA-së janë afër marrëveshjes për ndërprerje të mbylljes së pjesërishme të qeverisë, deklaroi sot presidenti amerikan, Donald Tramp. Tramp u tha gazetarëve se ka biseduar me kryetrain e Dhomës përfaëqsuese, Majkëll Xhonson dhe liderin e shumicës në Senat, Xhon Tun, duke u thënë se "janë mjaftë afër zgjidhjes". Mbyllja e pjesërishme e qeverisë ka hyrë në fuqi në 00:01 sipas kohës lindore, por pritet të jetë afatshkurtë, pasi deputetët nga dy partitë po punojnë në arritjen e paqes.

Uashington - Ish presidenti amerikan Bill Klinton u pajtua të dëshmojë para Kongresit amerikan në hetimin e udhëhequr nga republikanët për të dënuarin e ndjerë për krime seksuale, Xhefri Epstin, njoftuan mediumet amerikane. Televizioni Si-En-En dhe gazeta "Nju-Jork Tajms" njoftuan se Klintoni ka lëshuar pe për ta shmangur kërëcnimin nga porocedura për mosrepsektimin e Kongtresit, njoftoi DPA. Klintoni paraprakisht refuzonte të dëshmojë. Ish-presidenti demokrat dhe bashkëshortja e tij, Hilari Klinton, kanë akuzuar kryesuesin republikan me Komitetin për mbikëqyrje së përfaqësuesve, Xhejms Komer, për udhëheqjen e hetimit të motivuar politikisht, që ishte "i projektuar fjalë për fjalë për mbylljen e atyre në burg".

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi dje se administrata e tij së shpejti mund të ketë lajme të mira mbi përpjekjet për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare në Ukrainë. "Mendoj se po përballemi mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Kjo është hera e parë që e them këtë. Mendoj se mund të kemi lajme të mira", u tha Trampi gazetarëve në Zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë. I dërguari special i SHBA-së, Stiv Uitkof do të marrë pjesë në bisedimet me delegacionet ruse dhe ukrainase në Abu Dabi, njoftoi dje Shtëpia e Bardhë.

Tokio – Reshjet e dendura të borës morën 30 jetë në Japoni gjatë dy javëve të fundit, duke përfshirë edhe një grua 91-vjeçare e cila u gjet e bllokuar para shtëpisë së saj, njoftuan autoritetet.  Qeveria japoneze e shpërndau ushtrinë që tu ndihmojë banorëve të prefekturës së goditur më rëndë Aomori, ku në zona të izoluara u mblodhën deri 4,5 metra borë.  Kryeministrja Sanae Takaiçi sot mbajti takim urgjent në kabinet, duke kërkuar nga ministrat që të bëjnë gjithçka që është e mundur që t’i mbrojnë jetët e njerëzve. 

Londër - Uest Hemi e ka angazhuar mbrojtësin e Çellsit, Aksel Disasi në formë huazimi. Francezi 27-vjeçar nuk ka luajtur për ekipin e parë të londinezëve këtë sezon.  Disasi ka pesë paraqitje për kombëtaren franceze, ndërsa vlera e tij në "Transfermarket" është 15 milionë euro. Kontrata e tij me Çellsin vlen deri më 30 qershor të vitit 2029.

QËNDRONI TË LIDHUR