• e enjte, 26 dhjetor 2024

MF: Për të përforcuar stabilitetin financiar miratohet Ligji i ri i Zgjidhjes së Çështjeve të Bankave

MF: Për të përforcuar stabilitetin financiar miratohet Ligji i ri i Zgjidhjes së Çështjeve të Bankave

Shkup, 4 tetor 2023 (MIA)  - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi Ligjin e Zgjidhjes së Çështjeve të Bankave, të propozuar nga Ministria e Financave, me të cilin vendi përcakton kornizën rregullatore për përforcimin e stabilitetit financiar në vend dhe intervenon në kohë në institucionin kreditor i cili has në probleme.

"Bëhet fjalë për një ligj krejtësisht të ri, që ka për qëllim vendosjen e instrumenteve për zgjidhjen e problemeve të institucioneve jostabile dhe problematike të kredive. Këto instrumente janë të domosdoshme në parandalimin e paaftësisë paguese (josolvencës), përkatësisht në zbutjen e pasojave negative që rezultojnë nga paaftësia e pagesës, me qëllim të ruajtjes së funksionimit të institucionit të kredive. Në këtë mënyrë, shmanget procesi i shpëtimit të këtyre institucioneve, duke shfrytëzuar mjetet financiare të obliguesve tatimorë, përkatësisht me zgjidhjen e re ligjore do të vendosen një grup mjetesh për intervenim shumë të hershëm dhe intervenim të shpejtë te institucioni i kredive që ballafaqohet me probleme gjatë punës", informojnë nga Ministria e Financave.

Ligji, përveç ruajtjes së stabilitetit financiar dhe shmangies së ndikimit sinjifikativ negativ në sistemin financiar, do të sigurojë edhe vazhdimësinë e funksioneve kritike të bankës, mbrojtjen e mjeteve publike duke minimizuar mundësinë e shfrytëzimit të ndihmës së jashtëzakonshme financiare shtetërore, mbrojtjen e deponuesve të cilët kanë depozita të siguruara, si dhe mbrojtjen e mjeteve të klinetëve të bankës.
 
Me anë të këtij ligji vendoset Fondi i zgjidhjes së çështjeve të bankave dhe definohet mënyra e shfrytëzimit të mjeteve, përcaktohet procesi, kushtet dhe instrumentet e zgjidhjes së çështjeve të bankave, mënyrat e financimit në këtë drejtim etj., ndërsa organi përgjegjës i zgjidhjes së bankave do të jetë Banka Popullore. Zgjidhja e propozuar ligjore parasheh mundësinë e zbatimit të instrumenteve shtetërore, përfshirë edhe interverimin e drejtpërdrejt, por ato do të shfrytëzohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm si mundësi e fundit, pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë sa i përket instrumenteve të tjera të parapara në propozimin në fjalë. Kthimi i mjeteve që do të shfrytëzohen për intervenim do të realizohet nëpërmjet shitjes së depozitës së shtetit në bankën në të cilën shteti do ta përvetësojë atë me zbatimin e instrumenteve.

Ligji ka si pikësynim arritjen e disiplinës së tregut dhe besimin e publikut në sektorin bankar, avancimin e kornizës rregullatore dhe mbikëqyrëse, mbrojtjen e mjeteve publike, paanshmërinë dhe pavarësinë në realizimin e aktiviteteve të organit kompetent për zgjidhjen e çështjeve të bankave, si dhe profesionalizmin dhe shkallën e lartë të përgjegjësisë profesionale të të punësuarve të bankave dhe të punësuarve të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Ligji i ri paraqet gjithashtu  zbatimin konsistent të legjislacionit evropian, përkatësisht harmonizimin me Direktivën e Komisionit Evropian 2014/59/BE për krijimin e kornizës së rimëkëmbjes dhe zgjidhjes së çështjeve të institucioneve kreditore dhe kompanive investuese. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR