• e enjte, 26 dhjetor 2024

MF: Mbështetja nga Thesari i SHBA-së po zgjerohet - Marrëveshje e re për përforcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse mbi sektorin financiar jobankar

MF: Mbështetja nga Thesari i SHBA-së po zgjerohet - Marrëveshje e re për përforcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse mbi sektorin financiar jobankar

Shkup, 4 mars 2024 (MIA)- Përforcimi i kapaciteteve të Ministrisë së Financave në pjesën e sistemit financiar është fusha e re në të cilën vazhdon përkrahja e ofruar nga SHBA-ja përmes Zyrës së Thesarit të SHBA-së për Ministrinë e Financave, e cila realizohet në kuadër të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Zyrës së Thesarit të SHBA-së në prill të vitit 2023. Në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me zëvendësndihmës sekretarin e Zyrës së Thesarit të SHBA-së Xhejson Orlando, të mbajtur sot në Shkup, u theksua se përmes kësaj Marrëveshjeje realizohet një nga projektet më të mëdha të Zyrës së Thesarit të SHBA-së dhe bëhet fjalë për përkrahjen më të madhe që ia jep një vendi në nivel global.

Ekspertët e Zyrës së Thesarit të SHBA-së në periudhën e ardhshme, do të punojnë në Ministrinë e Financave për të përforcuar kapacitetet e Ministrisë së Financave për të kryer mbikëqyrje në terren dhe jashtë terrenit mbi sektorin financiar jobankar, në drejtim të avancimit të proceseve të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së edukimit financiar të popullsisë. Këtë e mundëson Marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet Ministrisë së Financave të përfaqësuar nga ministri Fatmir Besimi dhe Zyrës së Thesarit të SHBA-së të përfaqësuar nga zëvendësndihmës sekretari Xhejson Orlando.

“Kjo është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për qëllimet tona strategjike, për integrimin tonë euroatlantik, për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit, si dhe për arritjet e përgjithshme të planit të brendshëm dhe të jashtëm.

Bëhet fjalë për bashkëpunim që përfshin katër fusha dhe si rrjedhojë paraqet një nga projektet më gjithëpërfshirëse të Zyrës së Thesarit të SHBA-së, ndërsa nëpërmjet tij një vendi i jepet përkrahja më e madhe në korniza globale. Përkrahja është e drejtuar nga avancimi i Sistemit të menaxhimit të financave publike, të cilin e kemi krijuar me miratimin e Ligjit të ri të Buxheteve, që paraqet bazën e disa reformave të mëdha që jemi duke i  zbatuar në këtë segment. Krahas përkrahjes në segmentin e menaxhimit të financave publike, si dhe në segmentin e mbikëqyrjes së sektorit financiar jobankar, për të cilin sot kemi nënshkruar marrëveshje, bashkëpunimi zhvillohet edhe në fushën e administratës tatimore dhe doganore dhe menaxhimit të borxhit publik. Kjo me qëllim që të përfshihet i gjithë cikli në menaxhimin e financave publike”, theksoi ministri Besimi.

Ai falënderoi për punën e realizuar nga ekspertët e Zyrës së Thesarit të SHBA-së, të cilët tashmë punojnë në Ministrinë e Financave, në DAP dhe në Drejtorinë Doganore, si dhe pritet që bashkëpunimi të vazhdohet dhe të zgjerohet.

Ekspertet e Zyrës së Thesarit të  SHBA-së, pas nënshkrimit të Marrëveshjes në prill të vitit të kaluar, tashmë janë duke punuar në sektorin e politikave buxhetore, administratës tatimore dhe doganore, në sektorin  e menaxhimit të borxhit publik  si dhe shqyrtohet  mundësia e përfshirjes së tyre në pjesën e krijimit  të politikave ekonomike dhe zhvillimore. Në fushën e administratës tatimore dhe doganore, ekspertët po punojnë për përforcimin e kapaciteteve të DD(Drejtoria Doganore) dhe DAP-it në kuadër të përpjekjeve për reforma dhe modernizim në këto dy institucione.

Foto: Ministria e Financave

 

QËNDRONI TË LIDHUR