• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: "VLEN" ka përgatitur propozim-ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Mexhiti:

Shkup, 9 tetor 2024 (MIA) – Evidenca ose regjistrimi për përkatësinë etnike në administratën publike, "vulosje" në noter e përkatësisë etnike gjatë punësimit të kandidatit, pika shtesë për kandidatin me përkatësi etnike i cili i nevojitet institucionit, janë vetëm disa nga propozimet e draft-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilat “VLEN” do t’i ofrojë si zgjidhje pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi "balancuesin" –mekanizëm për punësim në bazë etnike, thekson zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. 

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ‘balancuesin’, VLEN menjëherë do të fillojë të gjejë zgjidhje të re. Si do të quhet, ‘balancues’ ose ligj për përfaqësim të drejtë, për këtë nuk ka dilema dhe bashkë konstatuam me partnerin (VMRO-DPMNE) se duhet të kenë kujdes edhe për cilësinë e kandidatëve në administratën publike që të zgjedhën më të mirët, por edhe për përfaqësimin e drejtë. Partnerët qeveritarë ende nuk kanë zgjidhje të harmonizuar se si të mbrohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat si vlerë themelore e Kushtetutës gjatë punësimit në administratën publike”, thekson Mexhiti në deklaratën për “Slloboden peçat”. 

Ai konfirmoi se “VLEN” tashmë ka përgatitur propozim-ligj të cilin do ta japin në debat publik. 

“Në administratën publike po mendohet të vendoset evidencë etnike, gjegjësisht të tregohet se çfarë etnie janë kur të punësohen për të parandaluar abuzimet, për të mos përsëritur situatën gjatë punësimit - të deklarohet për shembull se është shqiptar, dhe më pas ta kthejë përkatësinë e tij etnike, për shembull, maqedonas. Por këtu duhet të kemi kujdes që të mos cenojmë privatësinë e të punësuarve. Ka disa propozime, është e mundur që punonjësit të dorëzojnë deklaratë të noterizuar të përkatësisë etnike. Ekziston një sistem që kandidatët të testohen dhe në fund, nëse për atë vend është paraparë që të punësohet, për atë të ketë diskriminim pozitiv dhe të marrë plus 10 nga pikët e fituara, ai do të pranohet”, tha Mexhiti.

Thekson se nuk pajtohet me udhëzimin e Gjykatës Kushtetuese se në konkurset për punësim në administratën publike vendimtare duhet të jetë cilësia, por duhet të kenë kujdes edhe për përfaqësimin e drejtë. Kjo, sipas zëvendëskryeministrit të parë, do të nënkuptonte se nëse në ndonjë institucion duhet të punësohet një boshnjak, atëherë duhet të zgjidhet boshnjaku që është renditur më së miri në mesin e kandidatëve. 

“Është propozim i Gjykatës Kushtetuese. Duhet t'i kushtojmë vëmendje përfaqësimit të drejtë sepse në parim, sipas kësaj logjike, nuk mund t'ia lëmë rastësisë dhe të eksperimentojmë me përfaqësim të drejtë. Ne si VLEN jemi për t'i kushtuar vëmendje përfaqësimit të drejtë, pra nëse një institucioni i mungon një boshnjak, atëherë duhet të pranohet një boshnjak, që do të thotë se duhet zgjedhur boshnjaku më i mirë, pra nga komuniteti nga i cili mungon përfaqësuesi. Cilësia po, por edhe përfaqësim i drejtë. Nëse nuk gjendet mënyra për punësim sipas përfaqësimit të drejtë, atëherë do ta kontestojmë para Gjykatës Kushtetuese. Çdo tendencë, qoftë edhe më e vogël, për të neglizhuar përfaqësimin e drejtë, VLEN nuk do ta pranojë”, thotë Mexhiti.

Ai shton se konstatim i përbashkët i të gjithë faktorëve në shtet është se “balancuesi” tashmë nuk është në funksion, por se do të ketë kundër efekt dhe se gjatë viteve të kaluara është keqpërdorur. 

Gjykata Kushtetuese sot në mbledhje solli vendim për shfuqizimin e “balancuesit” –mekanizëm për punësim në bazë të përkatësisë kombëtare në institucionet shtetërore. Siç sqaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, vendimi i gjykatës është marrë me shumicë të votave dhe nuk do të vlejë në mënyrë retroaktive. Ai potencoi se është manipulim akuza se Kushtetuesja ka shfuqizuar të drejtat e bashkësive.

Siç informoi Kostadinovski në konferencë për media pas mbledhjes së sotme, me vendimin ishin shfuqizuar dispozitat nga Ligjet për sektorin publik dhe për administratën publike, si dhe akte nënligjore me të cilat funksionalizohet vlera themelore përfaqësim i drejtë dhe adekuat. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR