• e martë, 24 dhjetor 2024

Mexhiti: Vendim historik, 34.5 milionë euro për Kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”

Mexhiti: Vendim historik, 34.5 milionë euro për Kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”

Shkup, 3 shtator 2024 (MIA) - Qeveria  e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë seancës së sotme dha dritë jeshile për fillimin e procedurave për ndërtimin e Kampusit universitar të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, projekt kapital prej 34.5 milionë eurove, bëri të ditur në pres konferencën e sotme zëvendëskryeministri i Parë Izet Mexhiti, i cili e vlerësoi këtë vendim historik për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në vend.

"Sollëm vendim historik për ndërtimin e Kampusit të Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup në vlerë prej 34.5 milion euro, si simbol i vizionit tonë për një të ardhme më të ndritur për të rinjtë dhe për vendin tonë”tha Mexhiti, duke shtuar se për dekada, brezat kanë ëndërruar një qendër të tillë edukative që do të pasurojë jo vetëm dijen, por edhe shpirtin e një kombi të tërë, dhe sot, ajo ëndërr po bëhet realitet", tha Mexhiti.

Mexhiti tha se fillimi i procedurave për ndërtimin e këtij kampusi Universitar nga Qeveria e re është më se i domosdoshëm dhe i një rëndësie të veçantë,  akt historik për krijimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë tanë dhe për mbajtjen e tyre në vendlindje.

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti informoi se në universitetin “Nënë Tereza” në Shkup janë të regjistruar afër 5.000 studentë në ciklin e parë dhe të dytë,  dhe sipas tij këto vajza dhe djem nga i gjithë vendi të cilët kanë vendosur të ndërtojnë të ardhmen e tyre në kryeqytet e meritojnë një kampus modern.

Në këtë link bashkangjitur është deklarata e zv/kryeministrit të parë Izet Mexhiti lidhur me ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit "Nënë Tereza". mb/

QËNDRONI TË LIDHUR