• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mexhiti: Raporti i Komisionit të ekspertëve për lehonën e ndjerë nga Dellçeva do të publikohet javën e ardhshme

Mexhiti: Raporti i Komisionit të ekspertëve për lehonën e ndjerë nga Dellçeva do të publikohet javën e ardhshme

Shkup, 12 janar 2024 (MIA) - Javën e ardhshme do të publikohet raporti i Komisionit të ekspertëve të cilin e formoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti për rastin me lehonën e ndjerë 26-vjeçare nga Dellçeva, e cila ndërroi jetë më 26 dhjetor në KARIL në Shkup, ndërsa ishte sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore nga Spitali Klinik i Shtipit. 

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti deklaroi sot se këto ditë e pret raportin e Komisionit.

"Formuam Komision të ekspertëve, ata janë ekspertë të cilët kanë program të punës dhe mendoj se javën e ardhshme do të jetë raporti dhe do të zbardhet ky rast", deklaroi Mexhiti duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në Klinikën për Sëmundje Kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit" në Shkup. 

Komisioni i ekspertëve ishte formuar me rekomandim të inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH). Ky Komision duhet ta shqyrtojë mënyrën e mjekimit dhe nëse janë bërë lëshime nga ana e mjekëve dhe personelit mjekësor. 

MIA më parë kishte informuar për rastin, ndërsa inspektorët e ISHSSH-së nga mbikëqyrja e dokumentacionit mjekësor kanë konstatuar se në javën e 39-të të shtatzënisë së pacientes, më 22 dhjetor, mjeku amë ka krijuar një udhëzim për mbikëqyrjen e shtatzënisë normale deri në lindje. Katër ditë më vonë ajo ka ardhur për kontroll në klinikën obstetrike në Spitalin klinik të Shtipit dhe është konstatuar rënie e lëngut amniotik. Gjatë shtrirjes  në spital, pacientja ka rënë në kolaps, pas çka është kryer menjëherë operacion cezarian. Pas lindjes ka vazhduar intervenimi në stomak, gjatë së cilës është konstatuar se gjakderdhja e madhe ka ardhur nga një enë gjaku afër shpretkës, pas çka pacientja ka rënë në gjendje shoku dhe sërish është intervenuar me heqjen e shpretkës. Konsilumi vendos që lehona të shtrohet në KARIL në Shkup, ku edhe ka ndërruar jetë.

Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe prej para dy ditëve tashmë është në shtëpi. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR