• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Prioritet i "Vlen" është që të jetë pjesë e qeverisë së orientuar drejt BE-së dhe NATO-s

Mexhiti: Prioritet i

Shkup, 30 prill 2024 (MIA) - Bartësi i listës së kandidatëve për deputetë i Koalicionit "Vlen" në Njësinë Zgjedhore 1, Izet Mexhiti, sot në konferencë për media porositi se prioritet i opozitës shqiptare është që të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme e cila është e orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Lidhur me koalicionimin e mundshëm pas zgjedhjeve me VMRO-DPMNE-në dhe me kushtin për ndryshime kushtetuese, Mexhiti thotë se në këtë moment fokus i "Vlen" janë fushatat dhe takimet me qytetarët. 

"Ne edhe më parë edhe tani thamë se jemi të interesuar të jemi faktor për qeveri, e cila do të jetë e orientuar drejt NATO-s dhe BE-së, për ne ai është prioritet, por tani jemi të përqendruar në fushatë, në programin tonë, në kontaktet me qytetarët, ndërsa për këto qëndrime do të bisedojmë në tavolinë. Qëndrimi ynë është i qartë, nuk ka dilema se kush është qëndrimi i Vlen për integrimet evropiane", thotë Mexhiti. 

Theksoi se përballen me provokime të vazhdueshme nga ana e Frontit Evropian i kryesuar nga BDI dhe në atë mënyrë po bëjnë përpjekje që ta shpërqendrojnë publikun. 

"Mitingun të cilin ne e caktuam në Çair në sheshin 'Skenderbeu', ata termin të njëjtë caktuan në sheshin 'Maqedonia', ndërsa e dimë se njerëzit kalojnë në atë çarshi. Që të shmangen incidente ne e prolonguam një ditë, shkuam në Gostivar, pastaj u kthyem në Shkup. E patë që erdhën të provokojnë dhe të festojnë para shtabit të Vlen. Gjithashtu patë provokim të Grubit para Komunës së Çairit, edhe pse këto janë zgjedhje parlamentare, edhe pse gjatë gjithë kohës thonë se fokus i tyre janë partitë e mëdha, e jo Vlen, të nesërmen erdhën në Çair, ku kishte provokime nga disa anëtarë ndaj neve", tha Mexhiti. 

Lidhur me mitingun e paralajmëruar përmbyllës të Koalicionit "Vlen" në Tetovë, Mexhiti tha se tashmë kanë marrë leje nga Komuna e Tetovës dhe do të mbahet. 

"Për shkak të tyre ka pasur shumë të shtëna, vrasje, të plagosur dhe politikat e tyre kanë shkaktuar pasoja te qytetarët dhe mendojnë për metoda të tilla. Ne si opozitë si Vlen shmangim provokimet, sepse kërkojmë votën e qytetarit për të përmirësuar jetën e tij, jo për të shkaktuar vështirësi të tilla. Ne kemi leje nga Komuna e Tetovës dhe është paralajmëruar në stacionin policor për tubimin final në Tetovë. Por në radhë të parë do të jetë 8 maji dhe para kësaj duhet të jetë qetë dhe pozitiv, sepse vetëm kështu do të krijohen kushte që qytetarët të shprehin mendimin e tyre dhe t'i çojnë në opozitë me votën e tyre", tha Mexhiti. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR