• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti pret që t'i bashkohen edhe deputetë tjerë në lëvizjen e re politike

Mexhiti pret që t'i bashkohen edhe deputetë tjerë në lëvizjen e re politike

Shkup, 19 korrik 2023 (MIA) - Deputeti Izet Mexhiti, i cili pardje njoftoi se me Merita Koxhaxhikun largohen nga BDI-ja dhe se do të formojnë lëvizje të re politike, të cilës i bashkohet edhe deputeti i pavarur Kastriot Rexhepi, deklaroi se të tre do të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

"Nuk ka dyshim se si do të votojmë ne të tre. Do të votojmë për ndryshimet kushtetuese, ato janë prioriteti ynë dhe fokusi kryesor, sepse alternativa e vetme është integrimi në BE, të parandalohet emigrimi i të rinjve dhe të kenë perspektivë këtu, në vend. Se si do të ecë vendi përpara do të varet nga epilogu i ndryshimeve kushtetuese", tha Mexhiti sonte në një intervistë për TV24.

Nëse nuk kanë sukses ndryshimet kushtetuese, tha Maxhiti, “hapet rruga për të menduar nëse do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme apo të rregullta” dhe se ata nuk do të kenë problem edhe nëse shpallen zgjedhje të shpejta.

Subjekti i ri në bllokun politik shqiptar që ata e kanë iniciuar, i cili ende nuk ka emër, ka orientim opozitar, por tha se do t'i mbështesin të gjitha propozimet e pushtetit që janë në interes të qytetarëve.

Mexhiti pret që përkrahja të rritet me kyçjen e deputetëve të tjerë dhe është përgjigjur pozitivisht se edhe ato mund të jenë ehde nga radhët e qeverisë.

“Për momentin jemi tre, po flitet për kyçjen e disa të tjerëve, jo domosdoshmërisht vetëm nga BDI-ja”, tha Mexhiti.

Ka pasur takime edhe me liderët e opozitës Besa dhe Alternativa, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi dhe nuk sheh, siç tha, pengesë për bashkëpunim më intensiv dhe bashkim rreth ideve dhe ofertës, me çka do t'i tërheqin votuesit, për të ndërtuar një platformë të përbashkët dhe një front shqiptar opozitar.

Për faktin se ka zgjedhur të largohet nga BDI-ja përballë të tjerëve nga “Grupi i zjarrit” që mbetën fraksion në partinë e Ali Ahmetit, ai u përgjigj se ata zgjodhën rrugë të ndryshme dhe se ai vendosi për këtë hap sepse “BDI-ja e ka humbur kontaktin me realitetin”.

Që nga viti 2020, tha ai, kanë bërë gjithçka që kjo situatë të mos ndodhë, janë ezauruar të gjitha mundësitë dhe u është mbyllur dera për të vepruar si fraksion në parti.

Në akuzat nga bashkëmendimtarët e deridjeshëm në “Grupin e zjarrit” se “ka punuar” për VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin, ai tha se nuk e sheh të kontestueshëm komunikimin me liderët aktualë të partisë, ndërsa disa nga ata që e akuzojnë duhet të tregojnë për komunikimin e tyre me Gruevskin dhe Mijallkovin.

I pyetur për një koment për aksionin e sotëm të policisë, në të cilin është arrestuar Ismet Guri, ish-zyrtar në DAP, Mexhiti u përgjigj se nuk ndërhyn në këtë lëndë, por se “koha është zgjedhur për defokusim dhe për presion”.

Në pyetjen nëse mendon se mund të arrestohet edhe ai vetë, u përgjigj: “Mendoj se nuk janë kaq të marrë". mb/

QËNDRONI TË LIDHUR