• e premte, 10 janar 2025

Mexhiti për interpelancën e BDI-së: Ende krijojnë tendenca për destabilizim vetëm të shpëtojnë nga drejtësia

Mexhiti për interpelancën e BDI-së: Ende krijojnë tendenca për destabilizim vetëm të shpëtojnë nga drejtësia

Tetovë, 9 janar 2025 (MIA) - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti pas paralajmërimit të BDI-së se do të iniciojë interpelancë ndaj tij, në përgjigje të kërkesës së gazetarëve tha se është hap demokratik që partia opozitare po e përdorë vetëm për përfitime partiake dhe në kundërshtim me interesat shtetërore. BDI paralajmëroi se do të iniciojë interpelancë për ministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq.

"Interpelanca është një mekanizëm demokratik dhe ne mbështesim metoda të tilla demokratike, por për fat të keq, është iniciuar nga një parti jodemokratike e cila tashmë po përballet me probleme të mëdha dhe nga numri i atyre që janë në listën e zezë udhëheqin pikërisht këto struktura dhe në vend që të turpërohen dhe si të bëjnë reforma për të dalë nga kjo gjendje e rëndë, përkundrazi po krijojnë ende tendenca për destabilizimin dhe mjegull vetëm për të shpëtuar nga drejtësia”, ka thënë Mexhiti nga Tetova.

Ai vlerësoi se Qeveria është e përkushtuar për forcimin e decentralizimit si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes kornizë.

"Dhe këtë e dëshmojmë çdo ditë, si edhe sot në Tetovë, me një përkrahje të tillë që nuk ka pasur në të kaluarën. Zhvillimi ekonomik, si dhe lufta kundër korrupsionit, ku rezultatet janë tashmë të dukshme dhe mendoj se kjo është dhimbja e tyre. Ata nuk mendonin për qytetarët, por se si të shpëtojnë veten nga kallëzimet penale për të cilat duhet të përgjigjen, por dua që nesër t'i dëgjojmë dhe mendoj se sot është vendosur vula edhe nga partneri i tyre i mëparshëm, LSDM e cila u distancua dhe tha se koka e korrupsionit është Bashkimi Demokratik për Integrim", theksoi Mexhiti.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, sot në hapësirat e Komunës së Tetovës ka pasur takim me kryetarin e komunës Bilall Kasami dhe më pas së bashku kanë inspektuar aktivitetet ndërtimore që janë duke u zhvilluar në bulevardin “Vidoe Smilevski Bato”.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR