• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Nuk do të shkojmë atje ku dëshiron të na çojë opozita destruktive

Mexhiti: Nuk do të shkojmë atje ku dëshiron të na çojë opozita destruktive

 Shkup, 14 shtator 2024 (MIA) - Propozim-ligji për mbrojtësit është një nga iniciativat e opozitës destruktive BDI, dhe në këtë rast LSDM-së së keqpërdorur, sepse e njëjta LSDM deri dje luftonte për koncept qytetar, vlerësoi sot zëvedëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti dhe shtoi se nuk do të shkojnë atje ku dëshiron t'i çojë opozita.

Qeveria, siç tha, do të ndajë një miliardë euro për zgjidhjen e problemeve konkrete reale të të gjitha komunave dhe të gjithë qytetarëve në shtet, dhe nuk do t'i ketë prioritet çështjet e tilla dhe njëherësh nuk do të lejojë të shkojmë atje "ku dëshiron të na çojë opozita destriktzive". 

"Në ato tetë vite derisa ishin në pushtet nuk kishin iniciativa të tilla për mbrojtësit. Deri dje luftonin për koncept qytetar, kishin votues shqiptarë, kanë në strukturat e tyre  edhe funksionarë të lartë shqiptarë, andaj dilema është se pse u duhet kjo iniciativë LSDM-së të ikë në nacionalizëm të skajshëm. Por, edhe kjo tendencë do të jetë si dhe të gjitha iniciativat e tjera të pasuksesshme për destabilizim vetëm për të shmangur përgjegjësinë", tha Mexhiti në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në "Ditët e Hapura" të  InfoTech Academy.

 I pyetur nëse VLEN do ta mbështesë ligjin për mbrojtësit, Mexhiti tha se në fokusin e Qeverisë është lufta kundër korrupsionit.

"Fokusi i kësaj qeverie është lufta kundër korrupsionit që është kancer për këtë shoqëri. Ajo luftë do të jetë e pakompromis për kthimin e  besimit në gjyqësor, ndërsa fokusi kryesor do të jetë edhe zhvillimi ekonomik, edhe standardi i qytetarëve me referencë të veçantë te decentralizimi", potencon Mexhiti.

 Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR