• e martë, 24 dhjetor 2024

Mexhiti: Ndryshimet kushtetuese mbeten prioritet, por me bashkësinë ndërkombëtare do të punojmë të marrim garanci të reja

Mexhiti: Ndryshimet kushtetuese mbeten prioritet, por me bashkësinë ndërkombëtare do të punojmë të marrim garanci të reja

Shkup, 15 maj 2024 (MIA) - Anëtarët e grupit të punës që do t'i udhëheqin negociatat me VMRO-DPMNE-në për formimin e shumicës parlamentare tashmë janë nominuar, bën të ditur lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

"Tashmë janë nominuar anëtarët nga të gjitha subjektet politike në kuadër të 'VLEN"-it. Në grupin e punës nga Lëvizja Demokratike është Visar Ganiu, nga Aleanca për Shqiptarët Azir Aliu dhe dy anëtarë nga Lëvizja Besa dhe Alternativa. Në pjesën e programit do të përfshihet edhe Bekim Qoku nga Vetëvendosje. Ai nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, por do të jetë në grupin parlamentar dhe do të ketë votën e tij si deputet", ka thënë Mexhiti në emisionin e sontëm në “Top Tema” në Televizionin Telma.

Ai e ka vlerësuar Mickoskin se krahas faktit që ka marrë 58 deputetë ka ardhur në selinë e “VLEN-it”, ndaj këtë e konsideron si fillim të mbarë dhe sinjal se nuk e ka arrogancën e VMRO-së së vjetër dhe të Gruevskit. Sipas Mexhitit, një gjest kaq i vogël tregon respektin që lideri i VMRO-DPMNE-së ka dëshmuar. Bisedimet vazhdojnë në bazë ditore", ka thënë Mexhiti.

"Kontaktet janë të përditshme, në nivele të ndryshme. Fillimisht punohet për parimet e qeverisë së re dhe unifikimit të programeve të dy koalicioneve. Mendoj se nuk paraqet më interes kur do të takohen - ndoshta sot, ndoshta dy herë gjatë ditës, komunikojmë edhe me telefon ashtu edhe në takime. Punojmë intensivisht për formimin e qeverisë së re. Është i panevojshëm presioni nga publiku dhe media në çdo takim. Janë takime pune dhe nga ajo që do të përmbyllet përmes jush do të informojmë mediat”, ka thënë Mexhiti duke shtuar se se më së voni deri më 15 qershor pret që të jetë gati qeveria e re.

Negociatat ende nuk kanë arritur në ndarjen e resorëve, shton Mexhiti duke shtuar se VLEN nuk hyn në qeveri për të pasur pjesëmarrje minimale.

"Pra në fazën e parë flasim për parimet e qeverisë së re, programin e qeverisë së re, ku do të jetë fokusi ynë, theksuam zhvillimin ekonomik, standardin e jetesës dhe çështje të tjera të rëndësishme, nuk kemi hyrë ende në atë pjesë, por mendoj se nuk do të jetë as maksimaliste e as poshtëruese pjesëmarrja jonë në qeveri, por ne jemi përfaqësues të shqiptarëve. Shqiptarët sipas regjistrimit të fundit janë 30 për qind dhe pretendojmë dhe nuk do të shkojmë me kalkulime, por përafërsisht mendoj se si përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoni përafërsisht ta marrim atë pjesë. Por fokusi nuk do të jetë më te funksionet, por në realizimin e programit, realizimin e ideve dhe këtë ta ndjejnë qytetarët. Gjatë këtyre katër viteve shqiptarët kanë pasur shumë pushtet, pra gati nëntë apo 10 ministra, disa ishin nga LSDM, disa nga BDI, Aleanca, por ishin në funksion të vetvetes dhe të afërmve të tyre, nuk ishin në funksion. të qytetarëve. Pra më e rëndësishme është që të zgjidhim problemet e qytetarëve dhe qytetarët ta ndjejnë këtë, ta ndiejnë ndryshimin, se sa Izeti, Afrimi apo dikush, tjetër do të jenë ose jo ministër", ka thënë Mexhiti, i cili theksoi se do të kërkojnë që posti i kryetarit të Kuvendit t'i takojë koalicionit të tyre.

Mexhiti theksoi se janë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe kjo çështje mbetet një nga prioritetet kryesore.

"Kjo qeveri do të jetë stabile dhe do të ketë mbi 75 apo 80 deputetë. Të shqiptarët nuk ka dilemë rreth ndryshimeve kushtetuese, por pa komunitetin maqedonas, pa e përcaktuar këtë edhe VMRO-DPMNE që kanë 58 deputetë, kjo nuk mund të bëhet vetëm me vullnetin tonë të mirë. Vlerësojmë se duhet të kontribuojmë në këtë aspekt. Ne jemi që të miratohen ndryshimet kushtetuese. Edhe VMRO-DPMNE e ka të njëjtën në programin e saj, por ata kanë frikë se nëse edhe kjo absolvohet do të dalë diçka tjetër. Kërkojnë garanci që të mos del diçka pas kësaj. Së bashku me bashkësinë ndërkombëtare do të punojmë që të marrim garanci të reja dhe të mos ketë kushte të reja, por mbetet prioritet kryesor për të cilën hyjmë në këtë qeveri me orientim evropian", ka thënë Mexhiti.

I pyetur nëse do të kërkojnë të hetohet Marrëveshja me “Behtel dhe Enka”, Mexhiti tha se këtë çështje do t’ia lënë gjyqësorit dhe Prokurorisë publike.

Foto: printskrin nga video

 

QËNDRONI TË LIDHUR