• e premte, 27 dhjetor 2024

Mexhiti në Kongresin e tretë ndërkombëtar të Hematologjisë: Po punojmë intenzivisht për të përmirësuar kushtet në ISHP 

Mexhiti në Kongresin e tretë ndërkombëtar të Hematologjisë: Po punojmë intenzivisht për të përmirësuar kushtet në ISHP 

Shkup, 12 shtator 2023 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot mori pjesë në Kongresin e tretë ndërkombëtar të Hematologjisë, i cili mblodhi së bashku ekspertët më të mëdhenj të kësaj fushe në Evropë.
 
Kongresi, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer përvoja dhe risi në fushën e hematologjisë, trajtimit të sëmundjeve hematologjike, si dhe ka hapur derën për nxitjen e bashkëpunimit midis ekspertëve vendas dhe të huaj.
 
“Klinika e Hematologjisë ndër vite ka krijuar një ekip që monitoron progresin në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve hematologjike. Më vjen mirë që në këtë Klinikë ka shumë mjekë të rinj, hematologë të rinj, zhvillimin profesional të të cilëve do ta mbështes gjithmonë dhe si Ministri e Shëndetësisë do t 'i ndihmojmë ata të ndërtojnë një karrierë të suksesshme këtu në Klinikën tonë", theksoi Mexhiti.
 
Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi se po bëhen përpjekje intensive për përmirësimin e kushteve në institucionet shëndetësore publike, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët dhe kushteve të punës së punonjësve shëndetësorë.
 
“Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në Klinikën e Hematologjisë u instalua një citometër i ri i rrjedhës, i cili përmirësoi dhe përditësoi punën e Klinikës. Gjithashtu, laboratori për analiza imunologjike i Klinikës, i cili është i vetmi në vendin tonë, diagnostikon dhe monitoron efektet e terapisë dhe transplantimit të pacientëve me sëmundje hematologjike malinje”, theksoi Mexhiti.
 
Siç potencohet në kumtesën e MSH-së, Mexhiti ka theksuar se investimet në të gjitha segmentet e shëndetësisë janë prioritet kryesor, duke thënë se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ndërtojë një sistem shëndetësor të qëndrueshëm dhe cilësor për qytetarët.  mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR