Mexhiti: Në fillim të Vitit të Ri, ligji për përfaqësim të drejtë është në procedurë parlamentare
- Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot theksoi se deri në fillim të Vitit të Ri në procedurë parlamentare do të jetë ligji për përfaqësim të drejtë.
- Post By Sara Ademi
- 13:22, 17 dhjetor, 2024
Shkup, 17 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot theksoi se deri në fillim të Vitit të Ri në procedurë parlamentare do të jetë ligji për përfaqësim të drejtë.
"Në fund apo fillim të Vitit të Ri, ligji për përfaqësim të drejtë do të jetë në procedurë parlamentare. Jemi në rrugë të mbarë për ta mbyllur këtë çështje. Në Qeveri u pajtuam që mekanizmi që u hoq në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte faji ynë, sepse kjo gjykatë nuk u zgjodh nga kjo shumicë parlamentare dhe u pajtuam që kjo çështje të avancohet. Pra, le ta zëvendësojmë mekanizmin me një ligj të veçantë për përfaqësim adekuat dhe cilësor në administratën shtetërore dhe publike", tha Mexhiti sot duke qenë i ftuar në emisionin "Dejli klik", në Tv 21.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje në një emision televiziv theksoi se grupet punuese janë duke punuar në hartimin e ligjit për përfaqësim të drejtë, i cili, siç tha, së shpejti pritet të dalë para deputetëve.
"Problemi është në raportin e skriningut të BE-së. Ai shprehet se balancuesi është keqpërdorur, e ashtuquajtura vlera e përdorimit të tij ka kaluar dhe se duhet zëvendësuar me diçka që do të jetë në dispozicion. Ne nuk qëndrojmë në këmbë dhe në pritje, por grupet po punojnë për të bërë një ligj për përfaqësim të drejtë që do të jetë kushtetues dhe së shpejti do të dalë para deputetëve në Kuvend. Mos mendoni se ne duam të jemi një qeveri që do të hipë në fushën e frustrimit që do të krijohet te qytetarët", tha Mickoski.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut shfuqizoi balancuesin, mjet që përdorej në punësimin në administratën publike për të pasur përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive etnike. Heqja e balancuesit vjen pasi më herët më 18 shtator, gjyqtarët kushtetues vendosën hapjen e një çështjeje dhe "ngrijnë" përkohësisht përdorimin e balancuesit në pritje të vendimit të sotëm përfundimtar. sa/
Foto: Printskrin nga video