• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mexhiti mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga UNDP për prezantimin e qëndrimeve të vendit për ndryshimet klimatike

Mexhiti mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga UNDP për prezantimin e qëndrimeve të vendit për ndryshimet klimatike

Shkup, 30 tetor 2024 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, në prag të Konferencës së 29-të të palëve për ndryshimet klimatike (COP29) që do të mbahet në fillim të nëntorit në Baku të Azerbajxhanit sot mori pjesë në një ngjarjen e organizuar nga UNDP për prezantimin e qëndrimeve të vendit tonë që do të prezantohen në këtë samit të klimës.

Në takimin ku morën pjesë presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe ministrja e Energjetikës dhe Minierave Sanja Bozhinovska, zëvendëskryeministri i parë Mexhiti prezantoi të arriturat e deritanishme në kornizën strategjike dhe legjislative në fushën e klimës, të propozuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor dhe të miratuar nga ana e Qeverisë: 4 komunikime nacionale, 3 raporte dyvjeçare për ndryshimet klimatike, 2 kontribute nacionale në Marrëveshjen e Parisit, si dhe një Strategji dhe plan veprimi afatgjatë për veprimin për klimën dhe planin e integruar të energjisë dhe klimës.

“Me propozim të Ministrisë së Mjedisit është iniciuar një procedurë dhe janë miratuar 5 ligje për ratifikimin e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Marrëveshjes së Kiotos, Amendamentit të Dohës, Amendamentit Kigali dhe Marrëveshjes së Parisit”, tha Mexhiti në fjalën e tij, duke shtuar se në atë drejtim është përgatitur edhe propozimi për Ligjin për veprimin klimatik i cili rregullon krijimin e kornizës për veprim klimatik.

“Vizioni afatgjatë është që deri në vitin 2050 të jemi një ekonomi e begatë me përmbajtje të ulët të karbonit, e cila do të ndjekë rrugë zhvillimi të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj klimës, përmirëson konkurrencën dhe promovon kohezionin social përmes veprimeve për të luftuar ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tij”, ka thënë Mexhiti.

Në lidhje me Konferencën e ardhshme të palëve, Mexhiti informoi se COP29 do të jetë thelbësor në sigurimin e mjeteve të zbatimit dhe mbështetjes, si dhe në konfirmimin se të gjithë po synojnë ambicien më të lartë të mundshme që pasqyron drejtësinë dhe parimin e përbashkët, por përgjegjësi të diferencuara dhe aftësi të përshtatshme, në dritën e rrethanave të ndryshme të secilit shtet.

Mexhiti bëri të ditur se me mbështetjen e UNDP-së do të fillojë përgatitja e raportit të parë dyvjeçar të transparencës dhe Komunikatës së 5-të nacionale për ndryshimet klimatike.

QËNDRONI TË LIDHUR