• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Ligji për përfaqësimin e drejtë do të jetë në frymën e asaj që Kushtetueses nuk do t’i mundësohet në të ardhmen të shfuqizojë ligjet vetëm me shumicë të thjeshtë

Mexhiti: Ligji për përfaqësimin e drejtë do të jetë në frymën e asaj që Kushtetueses nuk do t’i mundësohet në të ardhmen të shfuqizojë ligjet vetëm me shumicë të thjeshtë

Shkup, 11 tetor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në deklaratën e sotme për media tha se në ditët në vijim do të formohet grupi i punës i përbërë nga profesorë të universiteteve në vend të cilët do të bisedojnë për modelet dhe ligjet e propozuara, do të ofrojnë ligjin më të mirë që do të rregullojë çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në Maqedoni.

Sipas Mexhitit, problemi thelbësor është se partitë shqiptare në qeveritë e kaluara kanë lejuar që ligjet të miratohen me dy shumica dhe ia kanë mundësuar Gjykatës Kushtetuese t'i shfuqizojë nesër vetëm me shumicë të thjeshtë.

"Do të jetë në frymën e asaj që të respektohet kategoria kushtetuese e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në Maqedoni duke mos i dhënë mundësi Gjykatës Kushtetuese që në të ardhmen ta shfuqizojë këtë ligj siç ka shfuqizuar disa ligje deri më tani. Dhe këtu vijmë te problemi esencial që partitë shqiptare në qeveritë e kaluara na lanë si trashëgimi - lejuan që ligjet të miratohen me shumë mund dhe investim politik dhe të miratohen nga dy shumica (me shumicë të thjeshtë dhe shumicë të Badenterit) dhe ia kanë mundësuar Gjykatës Kushtetuese nesër t'i shfuqizojë vetëm me shumicë të thjeshtë. Ky është defekti kryesor që lanë ata që qajnë sot, sepse po të ishte ndryshe, në seancën për balancuesin tre gjyqtarët (dy shqiptarë dhe një turk), votuan kundër dhe nuk do të shfuqizohej mekanizmi për balancuesin. Këtë defekt e kemi trashëguar nga BDI-ja, nuk i kanë trajtuar siç duhet çështjet dhe ne merremi me dështimet e BDI-së dhe të tjerëve që kanë qenë pjesë e qeverive të kaluara. Qeveria aktuale ka kapacitet politik dhe demokratik për të gjetur zgjidhje që do të respektojë kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera joshumicë në administratën publike dhe shtetërore, duke mos i dhënë asnjë shans Gjykatës Kushtetuese që në ta ardhmen t’i shfuqizojë ato", tha ai.

Mexhiti theksoi se ky problem nuk ka të bëjë vetëm me balancuesin, por me gjithçka që buron nga Marrëveshja e Ohrit e që ka të bëjë me identitetin e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike në Maqedoni që nuk janë shumicë dhe ka mundësuar çdo gjë është arritur të bie në ujë brenda natës sepse, siç tha ai, “në fillim nuk e kanë detektuar dhe nuk e kanë arritur atë që në Gjykatë të ketë Badenter edhe për çështje lidhur me identitetin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që të vendoset me dy shumica”.

Zëvendëskryeministri i parë thekson se balancuesit i ka kaluar afati dhe nevojitet një mekanizëm apo ligj i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike.

"Nuk i kuptoj ata që qajnë, sepse në vitin 2023 në seancën e Qeverisë votuan Strategjinë ku kërkuan heqjen e balancuesit. Këtë pas seancës e deklaruan edhe kryeministri Kovaçevski dhe funksionarë të tjerë. Jemi të të njëjtit qëndrim edhe atëherë edhe sot – konsiderojmë se ka kaluar afati për balancuesin dhe Maqedonisë i duhet një mekanizëm apo ligj i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve. I keni dëgjuar edhe deklaratat e partnerëve tanë në Qeveri, duke filluar nga kryeministri e deri te ministri për Administratë publike, të cilët konfirmojnë se kjo është kategori kushtetuese dhe se qeveria ka kapacitet ta mbyllë këtë çështje me ligj që do të sigurojë përfaqësim të drejtë dhe cilësor në të ardhmen", tha ai.

Mexhiti ka thënë se duhet të merret parasysh analiza e ish ministrit të Administratës, Admirim Aliti i cili thekson se shqiptarët kanë qenë të përfaqësuar më mirë me marrëveshjet politike kur janë hapur konkurset për 500, 700 vende pune, se sa kur u vendos mekanizmi i balancuesit.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR