• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Ligji për “branitellat” ka ngecur në Komisionin parlamentar dhe presim që aty dhe të mbetet

Mexhiti: Ligji për “branitellat” ka ngecur në Komisionin parlamentar dhe presim që aty dhe të mbetet

Shkup, 22 shtator 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti thotë se Propozim- ligji për "branitellat" do të mbetet i bllokuar në Kuvend.

Në intervistën për “Radio Evropa e Lirë”, Mexhiti thotë se nuk është mirë për shtetin që një nga prioritetet të jetë miratimi i një ligji të tillë.

"Ne kemi qëndrim përfundimtar se nuk është mirë për proceset dhe për shtetin dhe nuk është një nga prioritetet miratimi i një ligji të tillë. Tashmë ai ka ngecur në Komisionin që e udhëheq Ilire Dauti dhe presim që të mbetet aty", ka thënë Mexhiti.

Në pyetjen nëse kushti për të mbështetur këtë zgjidhje ligjore është që paralelisht të miratohet ligji për privilegjet e pjesëtarëve të UÇK-së, ai me qëndrim se e gjithë kjo çështje me këtë ligj është ideuar nga qeveria e kaluar.

"Dilema dhe çështja është se pse LSDM e cila deri dje luftonte për një koncept qytetar e që arriti rezultate edhe me votat e shqiptarëve, ndërsa në strukturat e saja ka anëtarë të shquar shqiptarë, pse nuk bëri asgjë për këtë sa ishte në pushtet gjatë tetë viteve të fundit? Dhe pse pikërisht tani kanë propozim për 'branitellat'? Mendoj se kjo është politikë ditore dhe i shërben destabilizimit të proceseve dhe shtetit. Pra, janë në sinkron me BDI-në, vetëm që të mos përgjigjen", thotë Mexhiti.

Propozim- ligji për "branitellat" është në procedurë parlamentare, por ka ngecur në Komisionin për politikë sociale, demografi dhe rini, pasi kryetarja e Komisionit Ilire Dauti nga radhët e Frontit Evropian në krye me BDI-në, nuk cakton seancë.

Nga partia politike “E Majta” paralajmëruan se do të ngrenë kallëzim penal kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, pasi edhe pse ka pasur rastin të thërrasë seancën e Komisionit parlamentar për punë dhe politikë sociale, demografi dhe rini e cila duhet ta shqyrtojë Propozim- ligjin për "branitellat", ai nuk e bëri këtë.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka thënë se nuk e shkel Rregulloren për punë dhe se ingjerencat janë te kryetarja e Komisionit parlamentar.

"Rregullorja në nenin 126 nuk thotë se "nëse kryetari i komisionit refuzon të vendosë një ligj të caktuar", por "nëse kryetari i komisionit nuk thërret seancë". Me faktin se Ilire Dauti ka thirrur një seancë brenda afateve, unë nuk mund ta thërras, Rregullorja më heq të drejtën që të ndërhyj dhe të caktoj një deputet tjetër për ta udhëhequr seancën. Në këta katër muaj kemi parë disa pavendosmëri si kjo me Ligjin për mbrojtësit ("branitellat"), si funksioni i dyfishtë i Talat Xhaferit dhe disa çështje të tjera që planifikoj t'i zgjidh së shpejti përmes komisionit për Çështje të Rregullores - që ata të vendosin dhe të nxjerrin konkluzione për ndryshimin e ardhshëm të Rregulores së Kuvendit", thotë Gashi.

Kryeministri Hristian Mickoski javën e kaluar më një deklaratë për media i bëri thirrje kryetares së Komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini që në rend dite ta vendosë Propozim- ligjin për "branitellat", duke shtuar se me VLEN-in nuk kanë biseduar për ligjin".

"Nuk kemi diskutuar atë temë, e kemi bërë shumë të qartë qëndrimin tonë në të kaluarën. "Branitellat" e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë mbështetjen time", ka thënë Mickoski.

Propozim- ligji për "branitellat" është iniciuar nga deputetja Sllavjanka Petrovska nga LSDM dhe duhet të miratohet në procedurë të shkurtuar.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR