• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mexhiti: Ligji për amnisti nuk është në interes të qytetarëve dhe integrimit në BE, por është amnisti e krimit

Mexhiti: Ligji për amnisti nuk është në interes të qytetarëve dhe integrimit në BE, por është amnisti e krimit

Shkup, 26 shtator 2023 (MIA) - Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike sot deklaroi se Ligji për amnisti nuk është në interes të qytetarëve ose të integrimit në BE, por është amnisti e krimit që është kryer në atë kohë dhe në kohën aktuale.

"Fakti që nuk arritën ta përfundojnë punën në tërësi, në raport me Gruevskin dhe të tjerët të mbyllin lëndët, tani do të tentojnë me Ligjin për amnisti. Pra, kjo nuk është në interes të qytetarëve, nuk është në interes të proceseve apo integrimeve në BE, por përkundrazi duan amnisti për krimin që është bërë në atë kohë dhe tani. Dhe mendojnë se kur të kalojnë në opozitë do ta kalojnë më komodë dhe me më pak pasoja. Ne jemi totalisht kundër këtyre lëvizjeve, sepse fakti është se si faktori ndërkombëtar, ashtu edhe ndërkombëtarët kanë bërë vërejtje të qarta se kjo nuk po shkon përpara, por po e tërheq vendin prapa në aspektin integrues", tha Mexhiti, i cili ishte i shoqëruar nga kryetarët e Besës dhe Lëvizjes Alternative, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.

Në pyetjen e gazetarëve se a ka informacion çka përmban USB-ja që dje nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, në intervistën për "360 gradë" në RTVM 1, ka ndarë materiale për të cilat ka thënë se janë pjesë e komunikimit të fshehtë të ish-kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, liderit të BDI-së Ali Ahmeti, kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe një personi tjetër, Mexhiti ka thënë se USB-ja përmban ndryshimet e Kodit Penal, se cilat vepra të fshihen, Ligjin për amnisti.

Mexhiti deklaroi se kjo qeveri është në kontakt me Nikolla Gruevskin, por jo, siç tha ai, për integrime dhe çështje strategjike, por për t'i mbyllur këto krime të tyre, që të jenë të lirë dhe të zgjasin sa të mundet këtë qeveri.

I pyetur nëse kishte parë prova për bashkëpunimin e Gruevskit me BDI-në, me Ahmetin, Mexhiti potencoi se së shpejti do të dalin në publik dhe theksoi se në favor të kësaj shkon edhe Ligji për amnisti. qa/bsh/

Foto: Lëvizja Demokratike

QËNDRONI TË LIDHUR