• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Funksioni i zëvendëskryeministrit nuk është i rregulluar me ligj, por rregullohet me Rregulloren e Qeverisë

Mexhiti: Funksioni i zëvendëskryeministrit nuk është i rregulluar me ligj, por rregullohet me Rregulloren e Qeverisë

Shkup, 8 korrik 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, sonte në lidhje me deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski, e cila i referohet "marrëveshjes xhentëllmene" për postin e zëvendëskryeministrit të parë në Qeveri, theksoi se është e vërtetë se kjo pozitë nuk është e rregulluar me ligj, siç nuk ka qenë as në të kaluarën, por është e rregulluar me Rregulloren e Punës së Qeverisë.

"Kemi një marrëveshje. Unë jam zëvendëskryeministri i parë dhe këtë e ka shpjeguar edhe kryeministri. Është e vërtetë që nuk është e rregulluar ligjërisht. Dhe në të kaluarën zëvendëskryeministri i parë nuk ka qenë ligjor, por është i rregulluar me Rregulloren e Qeverisë, në të cilën është përcaktuar saktë se ka një zëvendëskryeministër të parë dhe se jam unë", tha Mexhiti në një intervistë në TV Telma.

Ai theksoi se fokusi i kësaj qeverie është ekonomia, zhvillimi ekonomik dhe standardi i jetesës. Këto janë, siç tha ai, qëllimet e përbashkëta të tre partnerëve, si dhe lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe integrimi evropian.

Ai iu referua edhe Qeverisë së kaluar, e cila tha se "ka lënë pas shumë zgjidhje në gjysmë, pa i rregulluar siç duhet me ligj".

Në lidhje me Balanserin, Mexhiti tha se përpekje e përbashkët përveç përfaqësimit etnik është të ketë edhe cilësi në përzgjedhje.

"Në të kaluarën, për shkak të punësimeve partiake, cilësia e administratës ishte neglizhuar nga të dy komunitetet. Prandaj kërkohet gjithmonë reforma e administratës dhe e denjë për sfidat e reja, për integrimin europian. Mekanizmi i balanserit, i cili në fillim kishte efekt për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve më të vogla në nivel të republikës, njejtë edhe për maqedonasit në nivel komunash. Në vitet e kaluara ka pasur shumë raste kur balanseri nuk ka qenë në funksion të përfaqësimit të drejtë, por të keqpërdorimit të kësaj dhe të thellimit të diskriminimit", tha Mexhiti.

Siç ka theksuar Mexhiti, Balanseri me vendim do të avancohet në Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe ruajtjen e cilësisë gjatë punësimit. sa/

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR