• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mesazhi i kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai me rastin e Fitër Bajramit

Mesazhi i kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai me rastin e Fitër Bajramit

Shkup, 9 prill 2024 (MIA) - Me rastin e festës së nesërme të Fitër Bajramit, urim deri te besimtarët mysliman ka dërguar kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Reisul Ulema Shaqir Fetai me dëshirat “duke lutur Allahun e Madhëruar që me mëshirën e tij të pranojë të gjitha lutjet tona, agjërimin dhe gjitha veprat tona të kryera gjatë muajit të shenjtë”.

"Në këto ditë festive të Fitër Bajramit do ta falënderojmë Allahun xh.sh. për atë që na e mundësoi të agjërojmë Ramazanin, do ta falënderojmë për të mirat që na i ka dhënë! Por, të mos harrojmë: në gëzimet tona t’i përfshijmë edhe njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadakatul Fitrit, për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta. Po ashtu, me dhënien e Fitrit ne i mëkëmbim dhe përforcojmë institucionet e thirrura për përhapjen e mësimeve islame si dhe ndihmojmë personat në nevojë", thuhet në urimin e Fetahut.

Në këtë ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, thekson ai në urim, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm që të na japë fuqinë imanit, guximin e faljes dhe të pajtimit, buzëqeshjen me të tjerët, për të hapur rrugët e shpresës për të ardhmen, duke qenë të vendosur në rrugëtimin tonë për të kultivuar një të tashme dhe të ardhme edhe më të ndritur; t’u japë gëzim dhe shpresën në zemrat e tyre skamnorëve, jetimëve, njerëzve me telashe fiziko-shpirtërore, me qëllim që sot dhe gjithmonë në jetë të jemi të lumtur dhe të gëzuar, e mbi të gjitha – falënderues ndaj të Madhit Zot.

"I drejtohemi të Lartmadhëruarit me lutje që t`na i pranojë të gjitha veprat e mira, të gjitha lutjet dhe ibadetet që i kemi kryer gjatë Muajit të Ramazanit. Po ashtu i drejtohemi Krijuesit të Gjithësisë me lutje që në botë të ndërpriten të gjitha konfliktet e armatosura, gjithandej të mbretërojë paqa, sepse vetëm në paqe njerëzimi mund të ec përpara drejt zhvillimeve të reja, për të mirën e të gjithë njerëzve, pa dallim race, gjinie, konfesioni apo etnie. Ku do që të jeni, më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, organeve, enteve dhe institucioneve fetare-arsimore të saj si dhe në emrin tim t’ju shprehim urimet më të përzemërta, duke iu lutur Allahut fuqiplotë që t’i pranojë me mëshirën e tij të gjitha ibadetet tona, agjërimin tonë, të gjitha veprat tona të bëra gjatë muajit Ramazan. E gëzofshi Fitër Bajramin", thekson në mesazhin e tij kreu i BFI-së.

Dita e parë e Fitër Bajramit është ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Foto: BFI

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR