Mellania Tramp në vjeshtë do t'i publikojë memoaret e saj
- - Ish zonja e parë amerikane Mellania Tramp këtë vjeshtë i publikon memoaret nën titullin "Mellania". Këto janë memoaret e para të Trampit, e cila në masë të madhe mungon në sytë e publikut derisa bashkëshorti i saj Donalld Tramp kërkon kthimin në Shtëpinë e Bardhë.
- Post By Fitore Curri
- 12:09, 26 korrik, 2024
Los Anxhelos, 26 korrik 2024 (MIA) - Ish zonja e parë amerikane Mellania Tramp këtë vjeshtë i publikon memoaret nën titullin "Mellania". Këto janë memoaret e para të Trampit, e cila në masë të madhe mungon në sytë e publikut derisa bashkëshorti i saj Donalld Tramp kërkon kthimin në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo është "histori e fuqishme dhe frymëzuese për një grua e cila vetë e trasoi rrugën, i tejkaloi të gjitha telashet dhe e definoi përsosmërinë personale", njoftoi kabineti i saj.
Librin "Mellania" do ta publikojë shtëpia botuese "Skajhors", e cila tashmë i publikoi memoaret e ish kryetarit të Nju-Jorkut, Rudollf Xhuliani - mbështetës i Trampit dhe avokatit Alan Dershovic. "Skajhors" punoi edhe me kandidatin e pavarur presidencial Robert Kenedi Xhunior dhe ish këshilltarin e Trampit - Majkëll Koen, i cili në fund u bë një nga kritikët e tij më të ashpër.
Ish zonja e parë "ju bën thirrje lexuesve në botën e saj, duke u ofruar portret intim të një gruaje që kishte jetuar, dhe ende jeton, jetë të jashtëzakonshme", qëndron në paralajmërimin për librin. "Mellania" është e mbushur me histori personale dhe fotografi familjare të cilat ajo asnjëherë nuk i ka ndarë me publikun.
Kabineti i Mellania Trampit nuk bëri të ditur datë të saktë të publikimit dhe nuk bëri të ditur nëse libri do të dalë para zgjedhjeve presidenciale më 5 nëntor.
Mellania Tramp, gruaja e tretë e Donald Trampit, është figurë enigmatike dhe tërheq vëmendjen që kur burri i saj filloi fushatën e tij të parë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016. Ajo e ka ruajtur gjithmonë me kujdes privatësinë e saj, edhe si zonja e parë, duke u fokusuar në rritjen e djalit të saj Baron dhe nismën "Bëhu më i miri" për "shëndetin social, emocional dhe fizik" të fëmijëve. Këtë vit, ajo mori pjesë në ngjarjen para fillimit të fushatës presidenciale të bashkëshortit të saj dhe në Konventën Kombëtare Republikane të javës së kaluar, por ajo kryesisht qëndron larg fushatës presidenciale, kështu që në kundërshtim me traditën, ajo nuk mbajti as një fjalim në Konventë. fc/
Fotografia: EPA