• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Me superekspertizë do të vazhdojë procesi gjyqësor për lehonën nga Dibra

Me superekspertizë do të vazhdojë procesi gjyqësor për lehonën nga Dibra

Strugë, 23 prill 2024 (MIA) - Procesi gjyqësor ndaj tre mjekëve nga Spitalit i Strugës, gjinekologut Muhamed Asani, djalit të tij doktor Blerton Asani dhe mjekës Liljana Jovanoska, të akuzuar për heqjen e tre organeve të lehonës nga Dibra, Jildiz Veaposka do të vazhdojë me superekspertizë, është vendosur në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Strugë.

Vendimi i tillë i gjyqtarit Jordan Jovanov ka ardhur për shkak të mospërputhjes së mendimeve të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të kërkuara nga Prokurori Publik dhe këshilltari teknik me kërkesë të të pandehurve. Sipas ekspertizës së tre ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përkeqësimi i gjendjes së Veaposkës ka ardhur për shkak të veprimeve të gabuara të punonjësve shëndetësorë, ndërsa ekspertiza e këshilltarit teknik profesor dr. Drage Dabeski tregon se mjekët e akuzuar nuk kanë bërë lëshim gjatë mjekimit të lehonës, por me veprimet e tyre i shpëtuan jetën.

Super ekspertizën duhet ta bëjë bordi mjekoligjor pranë Fakultetit të Mjekësisë nga Shkupi. Këtë, sipas drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, profesor dr. Aleksandar Stankov, duhet ta bëjnë tre ekspertë.

"Ekspertiza jonë është e qartë, koncize, janë të lokalizuara të gjitha problemet që kanë çuar në gjendjen e të lënduarës Veaposka dhe pse i janë hequr organet. Sipas ekspertizës sonë, përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka ardhur vetëm nga veprimet e ekipit shëndetësor në Spitalin në Strugë", deklaroi Stankov.

 

Në bazë të ekspertizës së Mjekësisë Ligjore, theksoi, është ngritur edhe akuza për rastin me lehonën nga Dibra.

"Për fat të keq ligji është i tillë, lejon ekspertizën e një eksperti individual që krahasohet me një ekspertizë të bërë nga një institucion dhe tre profesorë. Kjo i jep të drejtën gjykatës të kërkojë një superekspertizë kur kemi kemi ekspertiza të kundërta. Kjo shumë shpesh ndodh qellimisht dhe në bazë të asnjë dëshmie të bëhen ekspertiza, të cilat janë në kundërshtim, vetëm për të qenë në kundërshtim me ekspertizën e dhënë nga Instituti që të mund të bëhen superekspertiza", përfundoi Stankov.

Avokati i të akuzuares së tretë, Aleksandar Novakovski theksoi se dy ekspertizat nuk janë harmonizuar në lidhje me paraqitjen e pasojave që i ka pësuar e dëmtuara, përkatësisht janë me mendime të kundërta për mënyrë se si është bërë kujdesi i tërësishëm.

 

"Duke pasur parasysh se ekspertët e propozuar nga Prokuroria dhe eksperti nga mbrojtja që dhanë raportet dhe deklaratat e tyre nuk arritën të pajtohen, gjyqtari dha urdhër të kryhet superekspertizë. Kur të merret ajo superekspertizë do të përfundojmë me rastin", theksoi Novakovski.

Për avokatin e të dëmtuares, Sasho Janev ka vetëm një ekspertizë, ndërsa ajo është ekspertiza e Mjekësisë Ligjore

 

"Jam i bindur se kjo ekspertizë do të mbijetojë sepse nuk ka asnjë të vërtetë tjetër. Por gjykata nuk ka zgjidhje kur ka dy ekspertiza kontradiktore, megjithëse për mendimin tim këtu nuk ka asnjë kundërshtim. Bordi i mjekësisë ligjore në Fakultetin e Mjekësisë përbëhet nga 19 mjekë të profileve të ndryshme. Besoj se ata njerëz do ta kryejnë punën e tyre solide dhe me cilësi dhe nuk kam asnjë dyshim për cilësinë e superekspertizës. Jam i bindur, e di të vërtetën. E vërteta është se klienti im është dëmtuar nga veprimet e mjekëve dhe kjo duhet të mbyllet me aktgjykim ligjor cilësor", deklaroi Janev.

Procesi gjyqësor me lehonën nga Dibra, Jilldiz Veaposka, të cilës pas lindjes me prerje cezariane në spitalin në Strugë i është hequr mitra, vezorja dhe veshka po vazhdon prej dy vitesh, gjatë së cilës janë ndërruar tre gjyqtarë. Viktima thotë se e gjithë kjo ndikon keq për të dhe shëndetin e saj, por pret që drejtësia të vendoset.

"Më ndikon keq si fizikisht ashtu edhe mendërisht dhe mezi pres të vijë fundi dhe të dalë e vërteta. Jo vetëm për mua, por për të gjitha gratë në Maqedoni të mos heshtin dhe të mos ndalen kur ka gabime mjekësore", tha Veaposka.

Seanca e radhës kur pritet të jetë gati edhe superekspertiza, është caktuar për 3 qershor të këtij viti. ls/

Foto: MIA

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR