• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Me ndihmën e Brukselit do të gjejmë zgjidhje teknike për Koridorin 8, thotë Mickoski

Me ndihmën e Brukselit do të gjejmë zgjidhje teknike për Koridorin 8, thotë Mickoski

 Shkup, 3 shtator 2024 (MIA) - Kriminelët nuk do të përfitojnë nga projekti me Korridorin 8, gjegjësisht ndërtimin e pjesës deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa Qeveria me ndihmën e Brukselit do të gjejë zgjidhje teknike, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

 "Jemi në komunikim me përgjegjësit në Bruksel, jemi gati për një dialog teknik. E pranuam ofertën për të marrë pjesë në procesin në Bruksel në të cilin së bashku do të gjejmë një zgjidhje teknike. Është mirë që ia dolëm të mos shpenzojmë të paktën 500 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të Maqedonisë dhe 250 milionë euro nga paratë e taksapaguesve evropianë në një procedurë plot me mungesa teknike dhe dyshime të bazuara për korrupsion dhe krim", deklaroi Mickoski. 

 Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas lëshimit në përdorim të zgjerimit të çerdhes “Goce Dellçev” në Komunën e Ilindenit, Mickoski kërkoi durim lidhur me çështjen e raportimit të ryshfetit të ofruar për realizimin e projektit.

 "E rëndësishme është që këta kriminelë nuk do të përfitojnë nga ky projekt, sepse Ministria e Transportit tërhoqi anëtarët nga komisioni i tenderit. Komisioni i tenderit tani nuk ka legjitimitet të vendosë dhe pres që kjo procedurë tenderimi të anulohet për pjesën 3 të Korridorit 8, gjegjësisht hekurudhën mes Kumanovës dhe pikës kufitare bullgare", tha Mickoski. 

 Sipas tij, mirë është që qytetarët nuk do të shpenzojnë gjysmë miliardë euro për të ndërtuar, siç theksoi,  gjysmë tuneli në një qorrsokak dhe që 30 familjeve nga Kriva Pallanka nuk do tu prishen shtëpitë, por të gjejnë një mënyrë për t'i bërë të gjitha teknikisht. qa.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR