• e enjte, 05 mars 2026

Mbrojtja kërkoi bashkimin e procedurës për zjarrin në “Puls” me aktakuzën e re kundër 13 nëpunësve të policisë

Mbrojtja kërkoi bashkimin e procedurës për zjarrin në “Puls” me aktakuzën e re kundër 13 nëpunësve të policisë

Shkup, 5 mars 2026 (MIA) – Bashkimin e procedurës aktuale gjyqësore me aktakuzën e re kundër 13 nëpunësve të policisë për të njëjtën ngjarje penale, kërkoi mbrojtja në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan që po mbahet në sallën e gjyqit në "Idrizovë".

Mbrojtja e të pandehurit të parë Dejan Jovanov, avokatja Ivana Kocevska, paraqiti propozimin për të zhvilluar procedurë të vetme, duke theksuar se më 30 janar 2026, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) Shkup ngriti aktakuzë kundër 13 nëpunësve të policisë.

"Propozim i ri për hir të shpejtësisë dhe korrektësisë dhe vërtetimit të drejtë të gjendjes faktike, mbrojtja propozon të zhvillohet procedurë e vetme duke bashkuar këtë çështje penale me çështje penale të ngritur para kësaj Gjykate të njëjtë. Ndërkohë, ndërsa zhvillohet kjo seancë kryesore, PTHP NKOK Shkup më 30 janar 2026 ngriti aktakuzë në Gjykatë kundër 13 nëpunësve të policisë të cilët akuzohen për të njëjtën vepër penale si bashkëkryerës, me të njëjtën vepër penale të të akuzuarve që janë këtu", deklaroi Kocevska, duke theksuar se zhvillimi i veçantë i rasteve mund të çojë në përfundime të ndryshme gjyqësore për përcaktimin e gjendjes faktike.

Propozimit iu bashkuan edhe avokatët e tjerë mbrojtës. Avokati i të pandehurit Shefket Haziri, Petre Shilegov, theksoi se bashkimi është ligjërisht i qëndrueshëm dhe i nevojshëm.

"Duke iu bashkuar pretendimeve të avokatit mbrojtës të të pandehurit të parë në këto procedura, konsiderojmë se është gjëja më e përshtatshme për t'u bërë, për arsye se nuk mund të ketë dy raste për të njëjtën ngjarje penalo-juridike. Për më tepër, ne nuk i dimë deklaratat e të dyshuarve të dhëna para PP në ato procedura, as nuk na janë dorëzuar", tha Shilegovi.

Megjithatë, përfaqësuesit e prokurorisë në këtë rast deklaruan se nuk janë kompetentë të veprojnë në rastet që përfshijnë nëpunës policie që i zhvillon PTHP NKOK.

"Ne, prokurorët e këtij ekipi, nuk jemi të autorizuar të veprojmë në raste që janë procedura penale kundër nëpunësve të policisë, as nuk kemi mundësi, si prokurorë që nuk punojnë në PTHP NKOK, të punojnë me nëpunës së policisë, të shprehim mendimin tonë për këtë çështje. Kjo çështje është tejkaluar që nga fillimi, kërkesa e mbrojtjes për bashkimin e procedurave është e çuditshme, kur e njëjta mbrojtje këtu para Gjykatës kundërshton bashkimin e dy lëndëve. Ne po i qasemi me kujdes, nuk jemi të autorizuar të shprehim mendimin tonë nëse ekziston bazë për bashkim dhe të flasim në emër të një prokurorie tjetër kompetente", theksoi Prokuroria.

Në seancën e sotme, Gjykata informoi edhe për përgjigjen me shkrim të marrë nga burgu i Kumanovës, pas reagimeve seancën e kaluar se i akuzuari i parë ishte ekspozuar ndaj trajtimit çnjerëzor.

Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu natën e 16 marsit të vitit të kaluar, gjatë pjesëmarrjes së grupit DNK. Në këtë tragjedi jetën e humbën 63 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë. Gjykimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie dhe procedurat po zhvillohen kundër më shumë se 30 personave fizikë dhe tre personave juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike. Prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë. Gjykimi vazhdon me paraqitjen e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR