• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mbledhja e parë plenare për avancimin e barazisë gjinore

Mbledhja e parë plenare për avancimin e barazisë gjinore

Shkup, 8 mars 2023 (MIA) - Kuvendi sot e mban mbledhjen e 107-të, mbledhja e parë kushtuar avancimit të barazisë gjinore. Njëkohësisht shënohet edhe 20-vjetori i formimit të Klubit të Deputeteve. Në rend dite është Informacioni për avancimin e çështjeve gjinore gjatë dy dekadave të fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në mbledhje marrin pjesë ministret dhe zëvendësministret e Qeverisë, përfaqësues të korit diplomatik dhe nga organizatat joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat në vazhdimësi bashkëpunojnë me Klubin e deputeteve që nga formimi në vitin 2003 e deri më sot.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas u dërgoi porosi deputeteve të jenë të zëshme, të guximshme, të patrembura, udhëheqëse në ndërtimin e një shoqërie më humane, demokratike dhe të barabartë. Paralajmëroi se tradicionalisht çdo 8 Mars Kuvendi do të mbajë mbledhje kushtuar avancimit të gjendjes së çështjes gjinore dhe barazisë gjinore në shtet.

"Gjatë kësaj periudhe, në këtë shtëpi ligjvënëse dhe me angazhimin e të gjitha përbërjeve parlamentare, kemi miratuar ndryshime jashtëzakonisht domethënëse që kanë shkuar në drejtim të barazimit, përmirësimit, mbrojtjes dhe avancimit dhe vlerësimit të statusit dhe kontributit të gruas si anëtare e barabartë e bashkësisë shoqërore. Si rezultat, janë miratuar disa strategji kombëtare që do të mbulojnë të gjitha çështjet shoqërore. Sigurisht që do të vazhdojnë me risi. Mos u dorëzoni, sado të duket se kjo është bota e burrave, bota nuk është asgjë pa gratë dhe dhurata e vërtetë do të ishte që Ju të merrnit botën në duart e tua dhe ta drejtoni atë. Jam i bindur se do të jetë një botë shumë më e mirë dhe më e bukur për të gjithë. Lufta duhet të vazhdojë derisa t'ju bashkohet edhe burri i fundit në radhët tuaja", theksoi Xhaferi.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska në fjalimin e sotëm tha se janë evidente ndryshimet pozitive në përmirësimin e gjendjes së gruas dhe avancimin e barazisë gjinore. Siç tha, progres kemi arritur por, ai ende nuk është i mjaftueshëm që të themi se në shtet kemi barazi të plotë gjinore.

Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut ka kornizë të gjerë juridike për promovimin dhe vendosjen e mundësive të barabarta të grave dhe burrave e cila mundëson avancimin e pozitës së grave në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Në periudhën e kaluar, siç tha, janë miratuar një numër i madh i ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe mundësive të barabarta të grave dhe burrave.

Ajo kujtoi disa ligje të rëndësishme, në mesin e të cilëve edhe Ligjin për mundësi të barabarta të grave dhe burrave, të miratuar në vitin 2006, ndërsa të avancuar me miratimin e Ligjit të ri në vitin 2012.

Theksoi edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor në vitin 2015, me çka, siç potencoi, u përmirësuan zgjidhjet ligjore për pjesëmarrje të grave dhe burrave në listat e kandidatëve për anëtarë të Parlamentit dhe të zgjedhjeve lokale.

Ajo potencoi se Maqedonia e Veriut i ka ratifikuar të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e grave dhe si të tilla ato janë të integruara në legjislacionin nacional dhe fuqishëm ndikojnë në politikat shtetërore.

Deputetja Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE vlerëson se duhet të punohet shumë që të arrihet barazia gjinore.

Ajo informoi se një e treta e grave besojnë se kur denoncohet dhuna, ndoshta teprohet, ose ndoshta nuk është e vërtetë ajo që flitet, Siç theksoi, 28 për qind besojnë se ndoshta dhunuesi është provokuar. Njëzet e një për qind e grave në këtë shtet janë përballur me dhunë nga partneri i tyre i mëparshëm, ndërsa 28 për qind nga dikush tjetër. 

Sipas Siljanovska Davkovës, sanksionimi vjen vështirë, që nënkupton se duhet të punohet me ndihmën e mediave në ngritjen e vetëdijes. fc/

Fotografia: Printskrin nga Jutjub

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR