• e shtunë, 28 dhjetor 2024

MASH-i mori vendim të përkohshëm: Në shkollat e mesme të mjekësisë do të regjistrohen vetëm nxënësit me mësim të rregullt

MASH-i mori vendim të përkohshëm: Në shkollat e mesme të mjekësisë do të regjistrohen vetëm nxënësit me mësim të rregullt

Shkup, 22 mars 2023 (MIA) - Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi të gjitha shkollat e mesme publike në vend të cilët kanë marrë verifikimin për realizimin e mësimdhënies në profesionet shëndetësore, se regjistrimi i nxënësve me mësim të çregullt do të pezullohet duke filluar nga sesioni i provimeve të muajit mars. 

Siç informon MASH-i, paraprakisht nxënësit tani më të regjistruar me mësim të çregullt do të vazhdojnë me dhënien e provimeve të parapara por në periudhën e ardhshme nuk do të mund të regjistrohen nxënës të rinj.

Nxënësit e rregullt do të mund të regjistrohen normalisht gjatë muajit qershor, konform kuotave që do të përcaktohen në konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike. 

"Vendimi i MASH-it është para së gjithash në interes të procesit të krijimit të personelit mjekësor cilësor. Ndryshe nga nxënësit e rregullt, të cilët përveç teorisë, kanë edhe mësim praktik efektiv sipas standardeve të përcaktuara në plan- programet mësimore, ndërsa nxënësit me mësim të çregullt mundësitë e praktikës në kushte reale janë dukshëm të kufizuara", qëndron në kumtesë. 

Ky vendim është në përputhje me përpjekjet e shtetit për të parandaluar ikjen e fuqisë punëtore, e cila mungon dukshëm në sektorin e shëndetësisë.

Statistikat tregojnë se në arsimin e mesëm të mjeksisë me mësim të çregullt zakonisht regjistrohen qytetarë më të moshuar , me qëllim për t'u rikualifikuar dhe për të kërkuar punë jashtë vendit. 

 "Sfidë shtesë është se regjistrimi në arsimin me mësim të çregullt nuk ka kuota kufizuese, ndryshe nga regjistrimi i nxënësve të rregullt që përcaktohet me kuota specifike, sipas kapaciteteve të shkollave dhe pikëve minimale të përcaktuara në secilin konkurs për regjistrim në arsimin e mesëm që është minimum 70 pikë, gjegjësisht sukses shembullor në arsimin fillor, por ndonjëherë edhe teste plotësuese kualifikuese për përzgjedhjen e një numri më të madh të nxënësve të paraqitur me 75 pikë", theksohet në kumtesë.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftojnë se ky është një vendim i përkohshëm ndërsa në periudhën në vijim fokusi do të vendoset në mundësitë për avancimin e arsimit me mësim të çregullt në profesionin shëndetësor, me qëllim që qytetarët të cilët përcaktohen për këtë opsion, të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e duhura, por edhe të motivohen për të realizuar potencialin e tyre personal në vendin e tyre. ar/

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR