• e premte, 27 dhjetor 2024

MASH: Punonjësit në QSHP ndërprenë grevën dhe vazhdojnë me kryerjen e detyrave të përditshme

MASH: Punonjësit në QSHP ndërprenë grevën dhe vazhdojnë me kryerjen e detyrave të përditshme

Shkup, 25 janar 2024 (MIA) - Greva për paga më të larta në Qendrën Shtetërore të Provimeve është ndërprerë dhe nga sot punonjësit vazhdojnë me kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre të përditshme, informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës ku dje është mbajtur takim i ministrit Jeton Shaqiri me drejtoreshën e QSHP-së, Biljana Mihajlovska.

"Është nënshkruar  ndryshimi në Marrëveshjen  Kolektive me të cilin mundësohet rritja e të ardhurave të punonjësve me kalimin në sistemin e pagave në përputhje me Ligjin për Nëpunës Administrativë dhe me shtesën në pagë nga aktivitetet vetëfinancuese të institucionit, e cila është siguruar deri në fund të vitit 2024", kumtoi MASH.

Ministri Shaqiri dhe drejtoresha Mihajlovska në takim diskutuan për një sërë procesesh të ardhshme që janë në kompetencë të këtij institucioni, i cili siç thekson MASH, ka rol kyç në realizimin e tyre. 

"Më vjen mirë që puna e Qendrës Shtetërore të Provimeve si institucion i rëndësishëm brenda sistemit arsimor në vend po normalizohet. E mirëpres vendimin e punonjësve të QSHP -së që të vazhdojnë me detyrat dhe aktivitetet e tyre të përditshme, gjë që nuk e vë në dyshim realizimin e të drejtave të qytetarëve që dalin nga fushëveprimi i punës së këtij institucioni", theksoi  Shaqiri.

Sipas drejtoreshës Mihajllovska, siç thekson MASH, provimi i maturës shtetërore, si proces më i madh në kompetencë të QSHP-së do të zhvillohet me cilësi më të mirë dhe brenda afateve të parapara.

"Përgatitjet janë intensive, që nënkupton krijimin e bazave të të dhënave me pyetje, protokolle dhe shtypjen  e materialeve të provimit. Në koordinim me shkollat ​​e mesme, po përgatitet zbatimi i provimeve eksterne në hapësira  të mëdha, që do të mundësojnë objektivitet më të madh të rezultateve. Punonjësit e QSHP  po bëjnë të gjitha përpjekjet me  qëllim të vetëm – që maturantët të kenë kushtet më të mira për realizimin e pandërprerë  dhe në mënyrë më të qetë dhe më të relaksuar të  provimeve të maturës shtetërore", xitohet në kumtesën e MASH. sa/

Foto: Ministria e Arsimit dhe Shkencës 

 

QËNDRONI TË LIDHUR