• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MASH: Nxënësit do të marrin pjesë domosdoshmërisht në aktivitete të dobishme shoqërore të organizuara në bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile

MASH: Nxënësit do të marrin pjesë domosdoshmërisht në aktivitete të dobishme shoqërore të organizuara në bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile

Shkup, 15 nëntor 2024 (MIA) - Në konferencë nacionale për bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit civil, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska kumtoi se Ministria dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit për herë të parë këtë vit kanë krijuar program për nxënësit nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë, sipas të cilit secili nxënës është i detyruar të marrë pjesë në aktivitete të dobishme shoqërore me gjithsej 30 orë në vit.

Siç informon MASH-i, këto aktivitete synojnë të zhvillojnë ndërgjegjësimin e komunitetit, përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe empati mes nxënësve.

"Programi përfshin vullnetarizëm dhe bashkëpunim me organizata qytetare dhe përmes këtij lloj angazhimi nxënësit do të mësojnë se si të kontribuojnë për të mirën e komunitetit, e cila është e rëndësishme për zhvillimin e tyre personal dhe përgjegjësinë qytetare”, tha Janevska në konferencën e organizuar nga "Civika Mobilitis" dhe me mbështetje nga Ambasada zvicerane

Nga viti i ardhshëm do të zhvillohet program për aktivitete të dobishme shoqërore për nxënësit e gjimnazit, "duke qenë se arsimi i mesëm është në proces të reformimit".

Duke iu përgjigjur pyetjes se si MASH-i planifikon të përfshijë organizatat e shoqërisë civile në zhvillimin , zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë së re Kombëtare të Arsimit për vitin 2026, ministrja tha se organizatat e shoqërisë civile tashmë janë të përfshira në proces që i paraprin përpilimit të Strategjisë kombëtare.

"Deri tani jam takuar me rreth 50 shoqata qytetare dhe me të gjitha jemi duke diskutuar për sfidat që kanë të bëjnë me ata të cilët i përfaqësojnë si organizata. Për çdo sfidë ne formulojmë përgjigje në formën e masave, projekteve, aktiviteteve, ndryshimeve ligjore etj. Disa prej tyre janë të zbatueshme menjëherë, ndërsa të tjerat do të integrohen në dokumente strategjike siç është Strategjia kombëtare. Komunikimi me shoqatat është veçanërisht i rëndësishëm për ne", shtoi Janevska.

Ajo theksoi se të gjithë faktorët socialë kanë përgjegjësi të barabartë në ndërtimin e sistemit arsimor cilësor dhe për këtë arsye është përkushtuar për bashkëpunim edhe më intensiv me sektorin civil. ab/

Fotо: Ministria e Arsimit dhe Shkencës

QËNDRONI TË LIDHUR