• e shtunë, 23 nëntor 2024

Masat për të rinjtë në programet e partive politike pa vendime konkrete për mënyrën e zbatimit të tyre

Masat për të rinjtë në programet e partive politike pa vendime konkrete për mënyrën e zbatimit të tyre

Shkup, 6 maj 2024 (MIA) - Vendi po përgatitet për raundin parlamentar dhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për 8 maj, ndërsa të rinjtë janë pak a shumë në qendër të formësimit të agjendës politike. Arsimi, çështjet rreth standardit të të rinjve dhe të drejtat e studentëve janë pjesë e programeve zgjedhore të shumicës së partive politike.

Mia analizoi se si dhe në çfarë mënyre të rinjtë u përfaqësuan në programet zgjedhore të katër koalicioneve të mëdha të blloqeve maqedonase dhe shqiptare - LSDM-ja dhe koalicioni, VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, "Fronti Evropian" i udhëhequr nga BDI dhe koalicioni "Vlen". Në analizën e rolit të të rinjve në agjendën politike, u përqendruam në angazhimet e premtuara për të drejtat e të rinjve, nxënësve dhe studentëve, por edhe për reformat në arsim.

Blendi Hodai, student në Fakultetin Filozofik, aktivist qytetar dhe drejtor i Forumit për Ndryshime Arsimore, dhe Anika Raleva, studente e shkencave politike në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" dhe pjesë e Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike (IQMPEA), në deklaratë për MIA-n, shprehen se masat për të rinjtë janë të paqarta dhe nuk ka zgjidhje konkrete se si do të realizohen ato.

Ata bëjnë të ditur se shumica e programeve të partive politike për të rinjtë në këto zgjedhje janë përsëritje e premtimeve të zgjedhjeve të fundit, respektivisht janë të njëjtat “copy-paste”. Ata theksojnë se pjesa më e madhe e masave janë vetëm në formë deklarative.

Çfarë ofrojnë partitë politike në programet për të rinjtë?

"Manifesti rinor" i socialdemokratëve Në "Programin për të ardhme evropiane" të koalicionit të kryesuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), fokusi tek të rinjtë vendoset në pikën e fundit, të shtatë, me titull "Rinia – shtyllë e shoqërisë" ku gjendet një lloj "Manifesti Rinor" i të rinjve të socialdemokratëve. Përmes manifestit, nëse formohet qeveri e re, LSDM paralajmëron vende cilësore pune në një treg konkurrues të punës, të ardhura minimale universale dhe Konceptin – Pagë për jetë.

Koalicioni për të ardhme evropiane paralajmëron formimin e një Ministrie për Rininë - institucion i veçantë që do të ketë buxhetin personal dhe do ta vendosë çështjen e rinisë "në nivel më të lartë të seriozitetit në shtet".

"Vendosja i edukimit gjithëpërfshirës seksual në shkolla, promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve dhe hartimi i politikave për të adresuar në mënyrë sistematike dhe të plotë problemet e të rinjve dhe për të hapur perspektiva të reja për të rinjtë, transportin publik të qasshëm dhe të arritshëm. Ne ofrojmë plan për banim publik për të rinjtë deri në 29 vjeç dhe një Program me çmime të subvencionuara dhe të favorshme për blerjen e shtëpisë së tyre për të rinjtë deri në 29 vjeç. Jetesë e vetasistuar për personat me aftësi të kufizuara. Përfaqësimi i barabartë i grave në pozicione vendimtare. Promovimi i çiklizmit si mjet transporti. Ofrojmë masa për qasje në arsim dhe trajnim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Punë cilësore në treg konkurrues të punës. Të ardhurat minimale universale dhe implementimi i Garancisë evropiane të fëmijëve janë pjesë e masave në programin zgjedhor të LSDM-së për të rinjtë.

"Fronti evropian" paralajmëron "Rini aktive dhe shoqëri të barabartë"

“Fronti Evropian” i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në programin zgjedhor “Evropa 2030”, i cili në gjuhën maqedonase është në një version shumë më të shkurtër se ai në gjuhën shqipe, ofrohet seksion i veçantë “Rini aktive dhe shoqëri e barabartë” për të rinjtë, ku përshkruhen përpjekjet për të promovuar pjesëmarrj

"Pjesëmarrje në vendimmarrje. Nxitje të sipërmarrësisë tek të rinjtë. Platformë digjitale për të rinjtë. Promovimi i diversitetit kulturor dhe politikave për promovimin e sportit. lehtësime tatimore për të mbështetur sportin. Zhvillimi i artit, muzikës, teatrit, filmit dhe dizajnit modern. Përfshirja në të gjitha proceset në shoqëri dhe gjatë vendimmarrjes. Politikë për ngadalësimin e migrimit dhe krijimin e mundësive për kthim në atdhe/vend me angazhim të veçantë për të rinjtë, janë masat e ofruara nga “Fronti evropian” për të rinjtë.

VMRO-DPMNE thotë se po vjen "koha e të rinjve"

Ashtu si Koalicioni i LSDM-së, dhe Koalicioni "Maqedonia jote" i kryesuar nga partia VMRO-DPMNE, e vë fokusin tek të rinjtë në pikën e fundit, të gjashtë të programit të saj, në seksionin "Të drejtat dhe liritë". Këtu, janë parashikuar përpjekje për të rinjtë nën titullin "Koha e të rinjve".

VMRO-DPMNE shprehet se ajo ofron "vizion për krijimin e kushteve të domosdoshme për të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme në vend, duke i fuqizuar ata përmes edukimit dhe zhvillimit të shkathtësive, duke nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe duke promovuar sipërmarrësinë dhe inovacionet".

Ndër masat kryesore ekonomike të kësaj partie dhe koalicionuesve të saj janë "ofertë e garantuar pune për 500 studentët më të mirë çdo vit", ndryshimet ligjore në mënyrë që studentët të mund të punojnë me kohë të shkurtuar, krijimi i kornizës juridike për tregti me kriptovaluta, si dhe vendosja e procesorëve globalë pagesorë në Maqedoni. VMRO-DPMNE-ja premtojnë se do të sigurojnë pesë milionë euro për iniciativat sipërmarrëse të të rinjve si program gjithëpërfshirës për të mbështetur punësimin e të rinjve.

VMRO-DPMNE propozon riorganizim të kompetencave të disa ministrive dhe njofton se segmenti i të rinjve do të fitojë rëndësi sektoriale dhe prioritizim në Ministrinë e Politikave Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ku do të themelohet një qendër për hulumtim mbi çështjet e të rinjve, e cila, ndër të tjera, do të synojë të monitorojë zbatimin e planeve operative që dalin nga Strategjia kombëtare e të rinjve.

Në pjesën e arsimit, paralajmërohen shtëpi moderne të studentlve dhe nxënësve, kategoritë e reja të bursave, e-bibliotekat e fakulteteve dhe qendrave të karrierës për këshillimin profesional të karrierës së të rinjve.

“Vlen” premton shkolla të reja të mesme dhe bashkëpunim më të madh me Kosovën dhe Shqipërinë

Për të rinjtë, koalicioni opozitar shqiptar “Vlen” në programin e tij elektoral “Plani 2030 Vlen”shpall kredi të favorshme për çiftet e reja, si dhe përjashtim nga taksat për bizneset e drejtuara nga të rinjtë.

"Zona Ekonomike e Lirë Rinore – në të cilën prioritet kryesor do të kenë sektorët e start-ap dhe teknologjisë. Kredi për banim me interes zero për çifte të reja (me moshë mesatare nën 35 vjeç). Për çiftet e reja, premtojmë zero interes për banesat. Personat nën moshën 30 vjeç që hapin një biznes në Maqedoni do të përjashtohen nga tatimet afariste për tre vjet dhe lirime tatimore për bizneset e të rinjve. Për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç, familja do të marrë një pagesë mujore prej 1,000 denarësh, me mundësinë e zgjatjes deri në 25 vjet për fëmijët që ndjekin arsimin e lartë, sipas programit të "Vlen" në sektorin e rinisë.

Ndër reformat arsimore janë programet për trajnime formale dhe joformale për shkathtësitë digjitale, provim shtetëror për pranim në arsimin shkollar, gjimnaze të të reja për teknologji dhe shkenca digjitale.

“Vlen” paralajmëron edhe bashkëpunim më të madh me Shqipërinë dhe Kosovën në disa pjesë të arsimit – programe mësimore me tekste të njëjta si në këto dy vende, formimin e një lloj “Erazmusi shqiptar” dhe gjuhën shqipen si lëndë fakultative në diasporë. Ata premtojnë se në mandatin e parë do të ndërtojnë 200 terrene të reja sportive në bashkësitë në vendbanimet shqiptare dhe në mandatin e dytë edhe 200 terrene të tjera.

Të rinjtë i vlerësojnë programet si përsëritje të zgjedhjeve paraprake

Blendi Hodai, student në Fakultetin Filozofik, aktivist civil dhe drejtor i Forumit për Ndryshime Arsimore, në një deklaratë për MIA-n, thekson se shumica e programeve të partive politike për të rinjtë në këto zgjedhje janë përsëritje e premtimeve të zgjedhjeve të fundit, respektivisht janë të shkruara “copy-paste”, duke theksuar se ato janë vetëm në formë deklarative.

"Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e masave të propozuara për të rinjtë janë vetëm në formë deklarative, respektivisht nuk janë sqaruar forma dhe mënyra në të cilën do të zbatohet pavarësisht se cila parti do të jetë në Qeverinë e ardhshme. E gjithë kjo vë në pikëpyetje qasjen e partive ndaj të rinjve, nëse ata i shohin ato vetëm si trup elektorale apo si pjesë e rëndësishme e popullsisë që së pari duhet të pajisen me kushte themelore të banimit, cilësi në arsim dhe mundësi karriere dhe më pas të sigurojnë pozicionin e vendimmarrjes në institucione", shprehet Hodai.

Anika Raleva, studente e shkencave politike në Fakultetin juridik "Justiniani i Parë" dhe pjesë e Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike (IQMPEA), shprehet për MIA-n se masat janë të paqarta dhe nuk ofrojnë zgjidhje konkrete për atë se si do të zbatohen. Ajo thekson se masa për të rinjtë janë kryesisht të njëjta midis partive dhe nuk janë avancuar nga vitet paraprake.

"Kur shqyrtoj programet zgjedhore, para së gjithash, nuk mund të gjej zgjidhje konkrete për problemet rrjedhëse që prekin të rinjtë. Ne e gjejmë veten me një numër të madh premtimesh, por nuk ka asnjë plan të vetëm të elaboruar konkretisht se si do të realizohen ato. Për më tepër, janë premtuar mijëra vende të reja pune, por shumë prej tyre do të kërkojnë përvojë pune prej minimumi një viti, por numri i praktikave të ofruara është shumë i vogël. Shumë nga të rinjtë nuk kanë qasje në përvojën e punës ose ofrohen afër mijëra praktika, të cilat janë padyshim të nevojshme, duke u treguar kështu të rinjve se ato ndoshta edhe nuk do të realizohen. Kjo na sjell në një përqindje të ulët të pjesëmarrjes së të rinjve", shprehet Raleva.

Sipas saj, të gjitha ato premtime janë të bukura, por realiteti është i ndryshëm dhe se nxënësve nuk u plotësohen nevojat themelore, respektivisht nuk kanë sapun dhe letër higjienike në institucionet arsimore.

"Ndeshemi edhe me ankesa për konviktet e studentëve, bursat, ushqimin e studentëve, transportin publik falas, transportin ndërmjet qyteteve, etj. Këto janë burimet themelore që duhet të ketë një i ri dhe partitë politike duhet t'i zbatojnë ato në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate", shprehet Raleva.

Fatime Fazlji

Foto: arkivi i MIA-s dhe arkivi privat i bashkëbiseduesve

 

QËNDRONI TË LIDHUR